Përfaqësues të rrjetit B40 mblidhen në Tiranë për ndryshimet klimatike, Veliaj: Bashkëpunim mes qyteteve! Për 8 vite Tirana arriti në 10 mln turistë

22 Maj, 14:19| Përditesimi: 22 Maj, 14:38

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në forumin për ndryshimet klimatike, i cili bëri bashkë përfaqësues nga rrjeti i qyteteve B40. Në qendër të diskutimeve ishin aksionet klimatike të ndërmarra nga qytetet, ndërsa u hodhën propozime që mund të përfshijnë të gjithë rrjetin. Gjatë fjalës së tij, Veliaj vlerësoi bashkëpunimin mes qyteteve të rrjetit B40, për ndërtimin e një sistemi që funksionon për të mësuar nga eksperiencat e njëri-tjetrit.

Kryebashkiaku theksoi se detyra e të zgjidhurve me votë është të marrin vendime në kohën e duhur, si mbjellja e pemëve apo lirimi i hapësirave pedonale.

“Kur transformimet ndodhin shumë shpejt ka disa njerëz që i duartrokasin, thonë: ‘Shumë mirë, të mbajmë ritmin’. Ka disa njerëz që, si themi ne, ‘i zë makina’, kanë një lloj nauze nga zhvillimet e shpejta dhe thonë: ‘I duam gjërat siç ishin’. Por, detyra e atyre që merren me politikë dhe zgjidhen me votë është të marrin vendime. Ka vendime që janë urgjente, kur vjen puna për të mbjellë pemë, për të pasur hapësira pedonale, për të mitiguar problemet që sjell erozioni, stuhitë ‘flash’, apo temperaturat e larta”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se nuk mjafton që një qytet të mbjellë pemë dhe një tjetër t’i presë ato. Sipas tij, në rrugët kryesore ku kalojnë njerëzit për të shkuar në punë ose shkollë, janë përzgjedhur pemë që krijojnë hije urbane, çka mundëson sadopak uljen e temperaturave.

“Nuk mjafton që një qytet të bëjë histori suksesi duke mbjellë pemë dhe një tjetër t’i presë pemët. Ky lloj organizimi është si një orkestër, që funksionon së bashku. Ne jemi duke rritur atë që quhet tenda e gjelbër e qytetit, për efekt të uljes së temperaturës. Po të shikoni rrugët kryesore të qytetit, ne përzgjedhim pemë që krijojnë strehë, për t’u siguruar që kur qytetarët shkojnë në punë, në shkollë, apo fëmijët kur shkojnë në kopësht dhe çerdhe, të ecin në rrugë me temperaturë më të ulët. Dua të kujtoj se Parku i Liqenit të Tiranës sot është një nga vendet më të vizituara, por nuk ishte i tillë para 8 vitesh. Atëherë kishim vetëm gjysmën e Liqenit funksionale, gjysma tjetër ishte e zaptuar”, shtoi Veliaj. 

Kryebashkiaku tha se po punohet edhe për projektin që pritet të finalizojë ndërtimin e disa shtigjeve të gjelbra, që do të lidhë dy parqet qendrore me njeri-tjetrin.

“Me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim do të bëjmë edhe disa shtigje të gjelbra, që i lidhin dy parqet qendrore të qytetit me njëra-tjetrën. Pyetja është: Kush e ka detyrën t’i bëjë këto punë? Përgjigjja është: Patjetër bashkia! Bashkia do investohet edhe për Lumin e Tiranës, që të sigurohet se nuk përmbyt më, dhe në 6 vitet e fundit, pasi punuam 2 vjet, përmbytjet nga Lumi i Tiranës janë një histori që i kemi harruar. Por, për disa punë të tjera, na ndihmojnë edhe qytetarët, sin ë rastin e mbjelljes së pemëve”, u shpreh Veliaj. 

Duke vijuar më tej, ai u ndal edhe te transformimi ekonomik i Tiranës në dekadën e fundit. Ai u shpreh se para 8 vitesh, Tirana kishte 25% të produktit tekstil dhe 25% këpucë, ndërsa sot kjo përqindje ndahet në turizëm dhe punë digjitale, që paguajnë 10-fishin.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?