Bandat kriminale shqiptare po ofrojnë ‘zbritje të sezonit festiv’ për emigrantët e paligjshëm që përpiqen të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar. Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull ‘ofertave’ që shqiptarët po reklamojnë në rrjetin social Tik Tok. Daily Mail shkruan se kjo është një tallje me përpjekjet e ministrave për të goditur kalimin e paligjshëm të emigrantëve.
Sipas tyre kontrabandistët shqiptarë po përdorin reklamimet në rrjetet sociale për të promovuar kalimet drejt Britanisë me çmime më të ulëta, me një tarifë prej 5,000 £ për person gjatë Krishtlindjeve, një zbritje prej 37,5 për qind, ndërsa tarifa e zakonshme për kalimin me gomone drejt Britanisë së madhe është 8,000 £.
Një reklamë shqiptare në TikTok , që paraqet një fotografi të pemës së Krishtlindjes në Covent Garden në Londrën Qendrore, u premton emigrantëve që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar ‘100 për qind sukses’.
Një reklamë në Instagram për kalimin drejt Britanisë me kamion ofron një ‘çmim me ulje’ për një udhëtim më 20 dhjetor: “Një person 6,000 £. Nëse jeni dy persona, 5000 £ secili.”, thuhet në këtë promovim.
Mbërritjet nga Shqipëria me varka dhe gomone kanë rënë që kur qeveria britanike e caktoi shtetin një “vend të sigurt”, që do të thotë se qytetarët shqiptarë nuk mund të aplikojnë për azil në MB dhe kthehen atje brenda disa ditësh.