Hashim Thaçi

Përforcohet mbrojtja e Hashim Thaçit në Hagë, ekipit të avokatëve të tij i shtohet ish-zyrtari amerikan

17 Prill 2023, 08:45| Përditesimi: 17 Prill 2023, 08:51

  • Share

Mbrojtja e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili ndodhet në paraburgimin e Hagës, është përforcuar së fundmi me një figurë të fuqishme në përbërjen e saj.

Joe Reeder nga tani do të jetë bashkëpunëtor i ekipit të udhëheqhur nga avokatët Gregory Keohe e Luka Misetiç.

“Në bazë të Rregullës 26(1) të Rregullores, Sekretari njofton Trupin Gjykues II për miratimin e z. Joe Reeder si bashkë-avokat i z. Hashim Thaçi. Më 6 prill 2023, avokati i z. Thaçi, z. Gregory Kehoe, e informoi Shefin e Zyrës së Mbrojtjes se do të dëshironte të ndihmohej nga z. Reeder si Bashkë-Avokat. Avokati ofroi të gjithë dokumentacionin përkatës në përputhje me seksionin 18 të Direktivës për avokatin. Z. Reeder pranohet në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7(3) dhe 18(1) të Direktivës për avokatin. Më 12 Prill 2023, Sekretari aprovoi z. Reeder si Bashkë-Avokat të z. Thaçi në përputhje me nenin 18 të Direktivës për avokatin.5. Në bazë të rregullit 82(3) të Rregullores, Aneksi 1 është paraqitur në mënyrë konfidenciale, pasi përmban informacione personale në lidhje me avokatin dhe bashkë-avokatin”, bqëhet me dije në një vendim të Gjykatës Speciale.

Joe Robert Reeder (lindur më 28 nëntor 1947) është një avokat amerikan i cili shërbeu si Nënsekretar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 1997.

Ndërkohë ditën e sotme vazhdojnë dëshmitë kundër Thaçit dhe ish drejtuesve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.

Zyra e Prokurorisë Speciale edhe sot e vazhdon procesin e paraqitjes së provave përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Gjatë seancës së kaluar e cila u zhvillua me dyer të mbyllura u mor në pyetje dëshmitarja grua e cila u përgjigj pyetjeve të bëra nga prokurorët e Gjykatës Speciale.

Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vitesh zvarritje. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.

Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?