Një zjarr ka përfshirë sot në orët e para të mëngjesit kampin social të komunitetit rom në Shkodër.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ku janë djegur plotësisht 3 kontenierë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë 3 mjete zjarrfikëse që kanë bërë neutralizimin e flakëve dhe shmangien e një tragjedie të mundshme.
“Informacionin për zjarrin e kemi marrë rreth orës 09:15. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një bombol gazi. Fatmirësisht gjatë kësaj kohe në kabina nuk kishte njeri brenda” tha përgjegjeësi i zjarrfikëses Shkodër.
“Zjarri ka ardhur nga korendi. Flakët u përhapën në mënyrë shumë të shpejtë. Djalit i ra të fikët kur pa zjarrin”, tha një banore e zonës.
Aktualisht, në këto kontejnerë jetojnë mbi 142 banorë të komunitetit rom, të cilët më parë banonin në kushte ekstreme varfërie dhe pasigurie.
“Rreth orës 09:30, në lagjen “Skënderbeg”, ka rënë zjarr në 3 kontenierë për banim. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit”, informoi sot policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Komente
