Zjarri masiv që përfshiu pyllin e Darëzezës, ditën e sotme është drejt shuarjes.
Report Tv mëson se 50 forca zjarrfikëse të bashkive Fier, Patos, Roskovec, Albpetrol, Lushnje, 9 mjete zjarrfikëse dhe 2 autobotë uji punuan intensivisht për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Fier, Zija Hyka, terreni është i vështirë dhe ndërhyrja me mjete brenda pyllit ka qenë sfiduese për forcat zjarrfikëse, të cilat fillimisht kanë kufizuar flakët që rrezikonin bizneset aty pranë.
Punonësit e pyjores të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, po presin me motor-sharra pemë e shkurre për të mundësuar hyrjen e mjeteve brenda pyllit.
Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit, por deri tani dyshohet se mund të jetë ndezuar aksidentalisht nga disa fëmijë.
lajm në përditësim…
Zjarri i cili përfshiu mesditën e sotme masivin pyjor të Darëzezës është drejt shuarjes.
Flakët pas disa orë përpjekjesh të shërbimeve zjarrfikëse, punonjësve të pyjores dhe banorëve të zonës, janë neutralizuar.
Dy mjete zjarrfikëse dhe tre grupe do të qëndrojnë në gatishmëri në rast të riaktivizimit të vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, do të ngrihet edhe një grup pune për verifikimin e dëmeve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Komente
