Politikë

Rama: Syri i Tiranës ka 4-5 kate pa leje, policia shkoi kapi një 90-vjeçar matanë Dajtit si ndërtues ilegal

19 Shtator, 13:40| Përditesimi: 19 Shtator, 16:43

  • Share

Kryeministri Edi Rama pati sërish kritika në lidhje me ndërtimet pa leje, teksa u shpreh se në mes të Tiranës inspektorët përkatës nuk shihnin pesë katet pa leje, por ‘pikasnin’ disa në Dajt.

Kryeministri ironizoi situatat absurde ku qytetarë të thjeshtë, madje edhe të moshuar, janë ndëshkuar për ndërtime minimale, ndërkohë që ndërtues të mëdhenj kanë vepruar për vite të tëra pa pengesa. Rama përmendi rastin e "Syrit të Tiranës", kur tha se ka 4 ose 5 kate pa leje. 

“Sikur të mblidheshin gjithë fshatarët që policia u ka vënë gjoba personale apo shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh pas atij për pritjen e Zhou Enlait. Një burrë 90 e kusur vjeç përfundoi në prokurori e gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Ndërkohë në mes të Tiranës, Syri i Tiranës ka 4 a 5 kate pa leje”, tha Rama. 

Rama tha se e gjithë Shqipëria do të mbulohet në çdo cep me kamera sigurie për të evidentuar në kohë reale çdo shkelje të ligjit.

“Vetëm në këtë periudhë, është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimin dhe pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe ti nuk e gëzon dot. Sepse deri dje, i shikonin vetëm avllitë, një burrë 90 vjeç përfundoi në gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Sesi e gjeti policia këtë kriminel në një vrimë matanë Dajtit, do ishte për medalje ari nëse do të kishte mbetur vetëm ajo e atij. Ndërkohë në mes të Tiranës, 4-5 kate pa leje të cilat do t’i gëzojë shteti e jo ai që i ka ndërtuar.

Transformimi teknologjik, një tjetër problem i madh. Na janë dashur muaj të tërë për të konkluduar në këtë sistem këtu, marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë me Emiratet e Bashkuara që tani më në fund u konkludua dhe që do të na japë mundësinë të kemi qytete inteligjente, mbulim me kamera inteligjente tërësisht nga rrugët, tek shkollat, brenda shkollës e klasës, për të na dhënë nivel sigurie të një standardi të lartë amerikan.

Hajde gjeje me juristët e punëve të brendshme dhe me ato të policisë sepse kjo administratë dhe ajo atje te Lana e ministrisë së Jashtme, kanë një tarbiat të vjetër, “lëre siç është se është më mirë. Mos i hy farë se më mirë nuk ka.”

Prandaj për t’a adresuar të gjithë domosdoshmërinë dhe ngritjen në një nivel tjetër, ministrja sjell me vete një eksperiencë të gjatë në administratë duke nisur që nga niveli i parë. Ministrja do udhëheqë përshkallëzimin e revolucionit digjital dhe futjen e inteligjencës artificiale dhe në këtë ministri në mënyrë që të rrisim parametrat e sigurisë në tërësi”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama prezanton ministren e Punëve të Brendshme: Reformojmë Prefekturat, janë fole që shpërndajnë paga! Sistem video-regjistrimi në shkolla (VIDEO)


K.B/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?