Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trelateral nuk ka ndodhur.
Po ashtu, ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.
Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit.
Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç, që ka zgjatur deri pas orës 12:00. Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës.
As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve.
Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai, po ashtu, është paralajmëruar se do të zhvillojë takim me Lajçakun.
Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçaku do t'i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve. I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi - e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel - si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.
Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Lajmi kryesor:
Tensionet në veri të Kosovës, Lajçak bisedime të ndara me dy negociatorët në Bruksel! S'dihet nëse do të ketë takim tripalësh
S.G/ReportTv.al