TIRANË- Këtë të martë përfundon afati që kishin të gjithë bizneset dhe qytetarët për të paraqitur ankesat e tyre për paketat financiare 1 dhe 2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu la afat përfituesve të ankoheshin deri më datë 25 gusht, në rast se nuk kishin marrë pagat e luftës. Po ashtu edhe bizneset që kanë një arsye për të mos aplikuar kishin afat deri sot, për të dërguar formularët me arsyet e mos-aplikimit në mënyrë që të shpëtojë nga gjoba.
Nga paketa e parë që përfshinte 3 paga lufte nga 26 mijë lekë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave deri më 21 gusht përfituan 130,556 persona, dhe u dha një fond prej 5.8 miliardë lekësh. Tek paketa e parë u përfshinë punonjës të biznesit të vogël, qytetarët që trajtoheshin me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie.
Ndërsa nga paketa e dytë kanë përfituar pagën 40 mijë lekë 172,473 persona deri më 21 gusht me një fond në total 6.8 miliardë lekë. Tek paketa e dytë përfitues ishin ish-punonjësit dhe punonjësit tek biznesi i madh, dhe që e kanë marrë 9.429 persona.
Përfituan 65,585 punonjës të larguar nga puna nga 1 marsi deri më 17 mars. Po ashtu përfitues ishin edhe punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë, e morën pagën 40 mijë lekë 68,316 punonjës. Dhe masa e katërt ishte për punonjësit e turizmit ku e kanë marrë vetëm 50% e përfituesve vetëm 4,920 persona. Nga paketa e dytë ishin përfitues edhe 721 naftëtar të rafinerisë së Ballshit.
Nga ana tjetër në total janë bërë 23,502 ankesa nga punonjësit për marrjen e pagës 40 mijë lekë. Tashmë administrata tatimore do të vazhdojë me shqyrtimin e ankesave, dhe përfituesve do ju kalojë paga, ndërsa bizneset do të gjobiten 50 mijë lekë për çdo aplikim të munguar. Ndërkohë janë mbi 3 mijë punonjës që nuk kanë marrë pagën e luftës edhe pse janë përfitues. Shkak për këtë janë bërë gabimet në llogaritë bankare. Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar më herët se afati i fundit për të ndryshuar IBAN-in e llogarisë është 31 gushti 2020.