Foto ilustruese

Përfundon fiskalizimi me 12% më pak të bizneseve aktive, Tatimet: 105 mijë biznese lëshojnë fatura të fiskalizuara

2 Shkurt 2023, 07:39| Përditesimi: 2 Shkurt 2023, 07:41

  • Share

Përfundon pas 2 vitesh nga nisja procesi i fiskalizimit të bizneseve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi fiskalizimin 100% të bizneseve. Sipas të dhënave të administratës për vitin 2022 janë fiskalizuar 104,795 tatimpagues, ku 78,012 prej tyre janë biznese të vogla dhe 26,783 janë subjekte të mëdhenj.

“Falë punës intensive të Administratës Tatimore, sot Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon sa i takon implementimit me sukses të reformës së fiskalizimit. 100 % e biznesit lëshon fatura elektronike në kohë reale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe formalizimin e ekonomisë”, njofton në rrjetet sociale drejtori i përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi.

Faza I e procesit të fiskalizimit nisi nga 1 janari 2021 për transaksionet mes enteve publike.

Faza II, që nisi më 1 korrik 2021, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën shumë probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës.

Faza III dhe përfundimtarja, u konsiderua dhe më delikatja, pasi nga 1 shtatori 2021 u përfshinë në fiskalizim edhe bizneset e vogla për shitjet me para në dorë. Për këtë kategori fillimisht qeveria miratoi aktin normativ në ligjin për procedurat tatimore për mos aplikimin e dënimeve administrative deri në 31 dhjetor 2021. Për subjektet e vogla afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin u shty deri më 30 qershor 2022.

Penalitetet për subjektet e vogla nisën të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ në ligjin “Për procedurat tatimore”. Periudha pa gjoba deri në fund të qershorit 2022 u zbatua edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e- Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

12% më pak biznese të fiskalizuara nga totali i subjekteve aktive

Deri në mars të 2022 sipas të dhënave të tatimeve numri total i bizneseve aktive ishte 118,953 që Tatimpagues aktivë të vegjël rezultonin 92,000. Numri i bizneseve të fiskalizuara në përfundim të reformës është 104,795 apo 12% më pak nga totali i bizneseve aktive.

Në fund të vitit 2021, administrata tatimore në një takim me kontabilistët të IKM nënvizoi se nuk  parashikonte fiskalizim të plotë të 120,000 bizneseve. Në takimin e zhvilluar me kontabilistët përfaqësuesja e DPT-së u shpreh se janë një numër subjektesh të mëdhenj dhe të vegjël të mbyllur, por duke qenë se kanë ende detyrime fiskale të papaguara nuk kalojnë dot në status pasiv. “Për këtë arsye numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi DPT./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?