Përfundon Godina 18 në lagjen e re ‘5 Maji’, Veliaj: 102 familje i marrin shtëpitë para festës së Vitit të Ri

28 Shtator 2023, 16:02| Përditesimi: 28 Shtator 2023, 16:04

  • Share

Në lagjen “5 Maji” ka përfunduar një tjetër pallat, pjesë e projektit “Tirana Riverside”, i cili do të akomodojë 102 familje të tjera, kryesisht të prekura nga shpronësimet për projektin e rindërtimit nga tërmeti në këtë zonë.  Godina 18, siç është vepruar me të gjitha godinat e  banimit në lagjet e reja të rindërtimit, ka parkim nëntokësor për të gjitha familjet që do të banojnë aty, si dhe infrastrukturën përreth të konceptuar sipas idesë ‘Qyteti 15 Minutësh’.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se banorët do të hyjnë në apartamentet e reja përpara Vitit të Ri.

“Kur kemi ardhur në fillim në këtë lagje, investimet kryesore ishin shkolla “Ardian Klosi”, një çerdhe dhe Qendra Sociale “Nënë Tereza”, kurse hapësira tjetër ishte komplet informale. Deri dje, Bregu i Lumit cilësohej pjesa më e prapambetur e Tiranës. Sot shikon si ka lulëzuar jeta në çdo ballkon. Parimi ka qenë të bëjmë vetëm nder dhe jo qeder; pra, të bëjmë vetëm punë të mira, pa i dhënë kosto askujt, as atyre që iu prish shtëpia nga tërmeti, as atyre që iu zhvillua prona për rindërtimin pas tërmetit. Edhe banorët, që i kanë pasur shtëpitë informale, këtu do të marrin një pronë shumë herë më dinjitoze, me parkim nëntokësor”, tha Veliaj.

Ai theksoi se lagjja “5 Maji” do të vijojë të zhvillohet drejt Njësisë 4.

“Më vjen mirë që, për rreth 200 familje të dëmtuara nga tërmeti, u është zgjidhur halli i shtëpisë dhe sot kanë një strehë shumë herë më dinjitoze mbi kokë. Kush banonte në ato shtëpi të ndërtuara me punë vullnetare dhe me mjete rrethanore, - sepse edhe nga ana e cilësisë së materialeve, në vitet ‘70-’80, mund të konsideroheshin më shumë rrethanore sesa cilësore, - një shtëpi të tillë nuk do ta merrte dot kurrë, se nuk do arrinte kurrë të shiste dhe të kapitalizonte diçka të amortizuar, që ishte vetëm një tërmet larg. Për familjet që u dëmtuan dhe kanë marrë shtëpi ultra modern, sipas projektit të Stefano Boerit, besoj se vërtetë ka qenë një fat”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se nëse ky projekt nuk do të bllokohej nga politika, puna me rindërtimin do të kishte përfunduar edhe në Kombinat.

“Edhe në Kombinat kanë mbaruar 10 godina dhe do të fillojmë me futjen e banorëve. Por, për të gjithë banorët e Kombinatit, të cilët u vonuan prej partive politike, që për një ose dy vota spekulantësh mbanin peng një zhvillim të tërë, besoj se është një leksion i madh. Ja ku jemi edhe pas zgjedhjeve! Ata që bënin propagandë dhe mbjellje të urrejtjes e mosbesimit ndaj shtetit, qeverisë dhe bashkisë, sot janë zhdukur. Ne jemi prapë këtu për ta mbajtur premtimin dhe për ta çuar deri në fund. Kjo është arsyeja pse “5 Maji” eci më shpejt, se këtu banorët nuk lejuan që të futej fryma e përçarjes nga partiçkat e vogla, që sot po zhduken,” nënvizoi më tej ai.

Veliaj tha gjithashtu se në të dy lagjet e rindërtuara do të transferohen disa ndërtesa publike si dhe disa institucione kulturore.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?