Grupi i Dialogut për Reformat ka caktuar këtë të premte ekspertët që do të ndihmojnë 6 anëtarët për ligjet që do të shqyrtohen në këtë mekanizëm.
Ekspertët e opozitës në këtë grup do të jenë Ivi Kaso dhe Silva Caka, ndërsa PS Eridjan Salianjin dhe Viktor Gumin, emra që të paktën përgjatë viteve të fundit kanë qenë të përzgjedhurit e dy palëve për të asistuar Reformën zgjedhore.
Gjithashtu grupi i dialogut vendosi të kërkojë ndihmën e ekspertëve të OSBE. Pas mbledhjes përfaqësuesit e opozitës thanë se nuk përjashtojnë mundësinë për të kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor.
“Sot kemi caktuar grupin e ekspertëve që të përgatisin deri të enjten për një plan pune dhe kërkesa për OSBE për asistencë.
E rëndësishme është që çdo gjë që është në dispozicion do ta marrin në konsideratë. Raportet politike sot janë të vendosura më drejtë. Ajo që po them është se çdo çështje që është për t’u diskutuar do të merret, shqyrtohet dhe do t’i jepet zgjidhje nga ky grup dialogu.
Grupi i dialogut kërkon vullnet pozitiv shumë të madh dhe pse e tregon shumë të kundërt forcën e vullnetit. Është herët të flasim për konsensus me PS, do të përcaktohet nga plani i punës.
Rekomandimi i OSBE nuk duhet të trajtohen në mënyrë të thatë.
Listat e hapura janë detyrim kushtetues, në përputhje me praktikat ndërkombëtare. Listat e mbyllura janë histori e të shkuarës. Ajo që është çështja kryesore sot, është zgjidhja e sistemit zgjedhor. Duhet të garantojmë barazi dhe drejtësi në rezultate”, -tha Oerd Bylykbashi nga Rithemelimi.