Bashkia Pustec shtrihet përgjatë Liqenit të Prespës dhe është e banuar nga pakica maqedonase në Qarkun e Korçës. Pjesa më e madhe e kësaj Bashkie, bën pjesë në parkun Kombëtar Natyror të Prespës, i cili nga ana e tij është pjesë e projektit të Parkut ndërkufitar me Greqinë dhe Maqedoninë, të promovuara nga Këshilli i Europës dhe Konventa e Ramsarit.
Ky status i mbrojtur, nga njëra anë ka favorizuar mbrojtjen e mjedisit natyror, por në mungesë të një plani të detajuar urbanistik, kishte bllokuar mundësinë e zhvillimeve urbane brenda fshatrave të kësaj Bashkie.
Agjensia Shtetërore e Kadastrës në bashkëpunim me Bashkinë Pustec, kanë saktësuar vijat kufizuese të ndërtimit të fshatrave përbërës të Bashkisë, duke i hapur mundësi në këtë mënyrë procesit të legalizimit brenda fshatrave. Kujtojmë këtu që, për shkak të situatës së trashëguar me qenien zonë e mbrojtur, Bashkia Pustec mbetej e vetmja Bashki në Republikë ku nuk kishte filluar ende procesi i legalizimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Pustecit Pali Kolefski dhe nga drejtorja vendore e ASHK-së Korçë, Besa Spaho ishin në Pustenc për të njoftuar përfundimin e procesit të legalizimit brenda zonës urbane të Bashkisë.
Lame, ju tregoi edhe banorëve arsyen pse nuk ishte vijuar dot me procesin e legalizimit në këtë zonë dhe pse kishte qëndruar larg kësaj zone:
“Këtu në Pustec, në cilësinë e drejtorit të Kadastrës vij për herë të parë. E kisha të vështirë ta bëja, sepse në tetë vite të Berishës dhe tetë vite të kësaj Qeverije, këtu nuk ishte bërë asnjë legalizim. Arsyeja ka qenë mungesa e detajimit dhe ndarjes së zonave të mbrojtura nga zonat urbane të Parkut të Prespës. Tashmë që bashkarisht me Bashkinë e zgjidhëm këtë ngërç, në kohë rekord ja dolëm të mbyllim procesin e legalizimeve për 160 objekte informale që ndodhen brenda vijës së verdhë”,-tha Lame.
“Ballkani i Hapur ndihmohet edhe me vepra të tilla që avancojnë ekonominë e zonave të minoritetit dhe ndihmojnë në integrimin e zonave kufitare” -shtoi tha Lame.
Drejtori i Kadatrës tha se sfidë dhe prioritet për këtë zone, në vijim do të jetë regjistrimi i tokës bujqësore dhe i ndërtimeve të vjetra.