Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

Përfundon procesi i numërimit të votave në Kosovë, 21 komuna shkojnë në balotazh! LVV do përballet me dy partitë e mëdha më 14 nëntor

19 Tetor 2021, 09:40| Përditesimi: 19 Tetor 2021, 09:50

  • Share

Në Kosovë ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale të cilët u zhvilluan më 17 tetor dhe raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet me 14 nëntor.

Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të kandidatëve me mbi 50% të votave, ndërsa 21 komuna do të shkojnë në balotazh.

Bazuar në rezultatet paraprake të KQZ-së, PDK ka fituar katër komuna pa balotazh, Aleanca për AAK dhe LDK nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur asnjë fitore pa balotazh.

PDK ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj. LDK ka fituar në Pejë dhe Lipjan. AAK ka fituar në Deçan dhe Suharekë. Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Mirëpo përballja te shumica e komunave do të jetë në raundin e dytë, përfshirë edhe kryeqytetin.

LVV dhe LDK në balotazh do të përballen në pesë komuna: Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Viti dhe Fushë Kosovë.

LVV dhe PDK në balotazh do të përballen në tri komuna: Prizren, Shtime dhe Kaçanik.

PDK dhe LDK në balotazh përballen në dy komuna: Vushtrri, Dragash.

LVV dhe AAK në Balotazh përballen në dy komuna: Gjakovë dhe Rahovec.

LDK dhe AAK përballen në balotazh në dy komuna: Istog dhe Junik.

PDK dhe AAK përballen në balotazh në Klinë.

Po ashtu në raundin e dytë do të ketë edhe disa përballje tjera:

Kamenica (Partia Socialdemokrate -LVV), Malisheva (Nisma-PDK), Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV).

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, do të mbahet më 14 nëntor.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?