Kosova & Rajoni

Përfundon sot turi tre ditor i Varhelyit në Ballkanin Perëndimor! Varhelyi: Ndarja e vaksinave konfirmon zotimin tonë në sigurimin e mbështetjes për rajonin!

5 Maj 2021, 12:53| Përditesimi: 5 Maj 2021, 17:16

  • Share

Në turin e tij tre ditor në Ballkanin Perëndimor komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi solli dozat e para të vaksinave anti-COVID,  donacion i BE-së. BE-ja do të shpërndajë 651 mijë vaksina Pfizer-BioNtech për Bosnjën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, vaksina të cilat do të shpërndahen deri në muajin gusht.

Varhelyi gjatë vizitave të tij tregoi se BE, gjendet në krah të rajonit në përballimin e sfidave të shkaktuara nga pandemia.

“Ndarja e vaksinave konfirmon zotimin tonë të vazhdueshëm në sigurimin e mbështetjes, siç kemi vepruar që nga shpërthimi i pandemisë “tha Varhelyi.

Varhelyi e filloi turnin në Beograd të hënën, vendi i cili do të marrë edhe sasinë më të vogël të vaksinave për shkak të shkallës së lartë të imunitetit të vendit dhe nga ku falënderoi sërish Serbinë për ndihmën e dhënë për vendet fqinjë në fushatën e imunizimit të popullatës.

Pas Serbisë, të martën Varhelyi u ndal në Sarajevë ku deklaroi se “ishte një ditë e madhe për Bosnje-Hercegovinën”, së cilës do t’i jepen 200 mijë vaksina “për imunizimin e punonjësve të shëndetësisë të vijës së parë”, siç u shpreh ai.

Gjatë ditës së djeshme Varhelyi u ndal në Podgoricë të Malit të Zi, ku deklaroi se Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra për të ndihmuar vendin në përballimin e borxhit prej 1 miliard dollarësh të marrë nga Kina për ndërtimin e një autostrade, por theksoi gjithashtu se BE nuk merret me "pagimin e huave të marra nga aktorë të tjerë".  Mali i Zi do të marrë nga BE deri në muajin gusht 42,000 vaksina të Pfizer-it, pasi ka marrë më parë nga Kina të 200,000 doza të Sinopharm.

Ditën e martë komisioneri evropian e mbylli me vizitën në Shkup me dorëzimin e një sasie prej 4,680 vaksinash, sasia e parë e donacionit evropian. Së bashku me Kryeministrin Zoran Zaev dhe ministren austriake për Evropën, Karoline Edstadler, vizituan qendrën më të madhe të vaksinimit. Maqedonisë së Veriut do t’i jepen gjithsej 119 mijë vaksina. Varhelyi deklaroi se me ndihmën e BE dhe vaksinave të siguruara nga ata shpresonte qe të arrihej shumë shpejt vaksinimi i gjithë personelit shëndetësor. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup Komisioneri evriopian i ka kushtuar rëndësis edhe procesit të integrimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku deklaroi sërish që BE dhe ai nuk do të preferonin që këto dy vende të ndaheshin dhe të ecnin përpara në rrugën e integrimit.

Ditën e sotme komisioneri është ndalur fillimisht në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Ndalesa e radhës e Komisionerit Oliver Varhelyi do të jetë Prishtina.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë mbështetur kryesisht tek programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por vaksinat nga ky program po vonojnë. Ndërkohë, BE-ja, e cila do të furnizojë këto shtete me vaksina të Pfizer-it deri në muajin gusht është po ashtu kontribuuesi kryesor i programit COVAX me 2.5 miliardë euro.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?