Vepra e plotë e Historisë së Albanologjisë me autor studiuesin Jup Kastrati do të jetë së shpejti gati.
“Është lënë nga Kastrati. E kemi kompjuterizuar, do të bëhet gati për botim. Janë studime gjuhësore, të cilat nuk janë botuar.”, - thotë për "Report TV" vajza e albanologut, Fatmira Kastrati.
Ajo tregon se po punohet edhe për botimin e veprave të tjera të studiuesit, si vepra për Ndre Mjedën me tri pjesë, por dhe studime letrare, arbëreshe dhe një studim mbi dramatikën shqiptare, të cilën Jup Kastrati e ka përgatitur kur ishte 20 vjeç.
Një figurë me kontribut të madh për kulturën dhe albanologjinë shqiptare, studiues dhe profesor, Jup Kastrati ka lënë në dorëshkrim disa vepra të pabotuara, si: “Bibliografi albanistike”, “Studime arbëreshe”, “Studime letrare”, “Vepra e De Radës”, “Studime për Ndre Mjedën”, etj.
Vetëm pak kohë më parë, vajzat e profesorit, nëpërmjet fondacionit që mban emrin emrin e studiuesit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Jup Kastratit, botuan letërkëmbimet e tij me At Justin Rrotën, një “Epistular”, që përfshin 299 letra të shkëmbyera nga viti 1951-1964.
“E veçanta e këtij libri është se ky epistular nuk shkëputet. Ata kanë një letërkëmbim të vazhdueshëm ndërmjet tyre. Prof. Kastrati futet në këtë letërkëmbim në moshën 27 vjeçare, madje kontaktet e para i kanë pasur fizikisht në 1949, kur prof. Kastrati ishte drejtor i shkollës “11 janari” në Shkodër.”, - tregon e bija.
Kremtimi i 100-vjetorit të lindjes së studiuesit dhe albanologut Jup Kastrati do të përmbyllet më 13 dhjetor me një konferencë në Akademinë e Shkencave ku për herë të parë do të bëhen publike edhe materiale dhe rrëfime nga studiues, kolegë e miq të profesorit, si: prof. Rexhep Qose, prof. Emil Lafe, Agim Vinca, Antonio Belushi dhe Ferdinand Leka.
Komente
