Sylvinho duke stërvitur kombëtaren U-17

Përgatitjet për ‘Elite Round’, kuqezinjtë e vegjël befason nga Sylvinho! Gati për Europianin e 2023

16 Mars 2023, 13:45| Përditesimi: 16 Mars 2023, 13:47

  • Share

Në prag të ndeshjeve të ‘Elite Round’ për kampionatin Europian ekipi kombëtar U-17 është i grumbulluar prej të mërkurës në kompleksin e FSHF-së ku po përgatiten për sfidat me Francën, Letoninë dhe Zvicrën.

Mirëpo për kuqezinjtë e trajnerit Ervin Bulku ka patur një vizitë të veçantë gjatë seancës stërvitore. Bëhet fjalë për trajnerin e kombëtares së madhe Sylvinho, i cili bashkë me ndihmësit e tij Zabaleta, Dorival dhe Salihi kanë dhënë eksperiencën e tyre që gjithçka të shkojë me sukses.

Sylvinho u kërkoi lojtarëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të punojnë fort e me përkushtim për të arritur objektivin historik, kualifikimin në finalet e Europianit 2023 për këtë grupmoshë. Tekniku Sylvinho ndau me kuqezinjtë e vegjël edhe eksperiencen e tij si trajner në fushë, duke qenë për një ditë ‘timonier i Kombëtares U-17’.

Për këto 3 ndeshje janë grumbulluar 25 lojtarë, ndërsa për ‘FSHF.org’ foli fillimisht mbrojtësi i Udinese-s Kleo Shpuza dhe më pas mesfushori i Lazio-s Klejdi Marinaj.

“Ndihem shumë i kënaqur. Është hera ime e parë që grumbullohem me Kombëtaren U-17. Jam një nga lojtarët më të vegjël. Më kanë pritur shumë mirë. Jam shumë i kënaqur, edhe familja ime është shumë e gëzuar që jam pjesë e Kombëtares. Edhe tek ekipi i Udinese-s ku unë luaj, ishin shumë të kënaqur që unë do të vij e do të përfaqësoj Shqipërinë.

Është stërvitja ime e parë dhe kemi shumë shpresa për t’u kualifikuar. Është një ekip i fortë, kemi shumë cilësi dhe mendoj se mund të jemi pjesë e finaleve të Europianit. Pozicioni im në fushë është si mbrojtës i majtë në fushë. I kam cilësitë për të ndihmuar këtë ekip. Ëndrra ime është që të luaj në Serinë A dhe të jem pjesë e Kombëtares shqiptare A,”-u shpreh Shpuza.

Ndërkaq, edhe mesfushori kuqezi i Lazio-s, Klejdi Marinaj është shumë i kënaqur që është pjesë e përfaqësueses shqiptare dhe ndihet i emocionuar që do të luajë për Shqipërinë.

“Jam shumë i kënaqur që kam marrë një ftesë nga Kombëtarja. Grupi është shumë i fortë. Jam shumë i sigurt që do të bëjmë shumë mirë në këto kualifikuese. Është një emocion i madh që do të luaj për Shqipërinë. Grupi është shumë i mirë. Lojtarët janë shumë të fortë dhe shumë të mirë. Do japim maksimumin në çdo ndeshje, me Francën e kemi pak të vështirë, por do të tentojmë të marrim pikët maksimale me Zvicrën dhe Letoninë,” -tha Marinaj.

Shorti i UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars 2023, në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena”

Ndeshja Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars 2023 në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30 ndërsa po atë ditë do të luhet ndeshja tjetër Letoni-Zvicër në “Elbasan Arena” që nis në ora 15:30. Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars me Francë-Letoni, ora 11:30 në “Elbasan Arena” dhe Zvicër-Shqipëri ora 17:00 në “Air Albania”. Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars 2023 dhe të nisin të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?