Tiranë- Gjykata e Posaçme pranoi sot (17 prill) kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për zgjatjen edhe me 3 muaj të hetimeve ndaj ish-deputetit socialist të arrestuar prej 20 tetorit 2024, Jurgis Çyrbja.
SPAK e bëri këtë kërkesë në seancën e të martës, për shkak se është në pritje të disa letër-porosive të nisura agjencive partnere jashtë vendit, kurse vendimi u mor sot.
Prokuroria e Posaçme ka kohë deri në muajin korrik, që të kryejë hetimet për Jurgis Çyrbjan, i cili mbahet në paraburgim me masë arresti në burg, pasi bisedat e tij dalin në platformën e koduar SKY ECC, me Altin Hajrin e Shijakut, ky në kërkim si organizator i rrëmbimit dhe zhdukjes me pasojë vdekjen e Jani prengës më 17 janar 2020 në aksin Kamëz-Shijak, në ambientet e kompleksit “Golden” në pronësi të tij.
Ish-deputeti i Durrësit akuzohet se me ndërhyrjet e tij favorizonte anëtarët e organizatës kriminale duke u ndryshuar akuzat apo liruar nga qelia. Gjithashtu SPAK e akuzon edhe për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shtetëror.
Ish-deputeti u arrestua më 20 tetor 2024 në qytetin e Durrësit, vetëm një ditë para prangosjes së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. GJKKO ka dhënë masën "arrest me burg" ndaj tij, duke rrëzuar kërkesat pëer zbutjen e saj deri tani.
Komente
