A u përgjua sipas ligjit, apo në shkelje të tij Gjykata Kushtetuese prej SPAK-ut?
Debati më i fundit po ndez jo vetëm ambientin politik, por edhe atë të jurisprudencës, që i ka kapur në befasi pas një letre sqaruese që SPAK i dërgonte Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pyetjen nëse ndonjë anëtar i saj ishte nën hetim apo përgjuar.
Kjo temë u analizua sot (4 mars) edhe në ‘Studio Live” në Report Tv, nga moderatori Arbër Hitaj, me të ftuarit ish-deputetin dhe analistin Arben Meçe dhe avokatin Redi Ramaj.
Ky i fundit e cilësoi cenim të privatësisë dhe sigurisë së gjyqtarit kushtetues nëse përgjimi dhe survejimi ka ndodhur pa vendim të Gjykatës dhe për më tepër pa regjistrim për hetim.
Por nëse ka pasur një regjistrim për hetim, avokati Ramaj e cilësoi të ligjshme dhe normale. Por sipas shkresës së SPAK, e firmosur nga Altin Dumani, theksohet se nuk ka një hetim të tillë.
“Referuar edhe Kodit të Procedurës Penale nuk shoh që asnjë Prokurori, qoftë edhe SPAK, të vendosë nën përgjim apo vëzhgim dikë pa marrë miratim nga Gjykata, për më tepër kur flitet për gjyqtarët e Kushtetueses, që kanë ligj të veçantë e të posaçëm, ku për shkak të rëndësisë dhe mënyrës se si zgjidhen këta anëtarë, të kërkohet leje para se të kalohen në përgjim. Pra ka një lloj imuniteti gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese. Nga ato çfarë kanë dalë në media dhe çfarë është diskutuar publikisht, nuk ka vendim gjykate, sepse nuk ka as emrin e personit të regjistruar nën hetim. Për kaq sa shihet pranohet se ka pasur përgjime, por ka diçka që është përtej hetimit dhe fuqisë që ka SPAK”, tha Ramaj.
Më tej ai thekson se nuk ka informacion se cila indicio ka vënë në lëvizje SPAK-un. Pra duhet të ketë një provë, rrethanë apo indicio dhe ai e cilëson problematikë që kërkon patjetër një sqarim publik.
“Nuk e di se çfarë indiciosh ka pasur SPAK për këtë veprim të kryer, dhe nëse nuk ka pasur kallëzim dhe indicio, është e vështirë që prokuroria të ndërmarrë veprime pa pasur asnjë provë, rrethanë apo fakt që e çon për hetim penal. Duket pak problematike kjo situatë. SPAK duhet të jetë më transparente me këtë rast. Nuk e shoh situatë normale, nuk e di nëse është zbuluar provë. Por gjyqtarit i është cenuar edhe pavarësia dhe privatësia, pra ai është ndjerë i shqetësuar. Do ishte normale nëse është regjistruar hetim. Ka nevojë për një transparencë institucionale dhe publike në këtë rast”, tha Ramaj.
Kurse ish-deputeti Arben Meçe sqaron se me ligjin e ri që është bërë, SPAK e ka kompetencën që ta kryejë përgjimin dhe survejimin dhe ky është debati dhe shqetësimi që është ngritur së fundmi pas këtij lajmi.
“SPAK është ngritur për të hetuar pikërisht këtë hapësirë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. SPAK e ka kompetencën për të përgjuar edhe te Gjykata Kushtetuese. SPAK u drejtohet strukturave përkatëse, sepse sipas shkresës është regjistruar ky procedim penal. Pyetja është si është bërë regjistrimi? Prokuroria ka të drejtë edhe kryesisht ta regjistrojë çështjen. Te Veliaj është prodhuar nga Prokuroria një denoncues. Denoncimet bëhen me kallëzim dhe kryesisht.
Në rastin konkret Dumani thotë se nuk ka regjistrim apo denoncim çështjeje. Atëherë çfarë po ndodh në Shqipëri, kjo është pyetja?”, shprehet Meçe.
Më tej ai shton se ky debat kërkon patjetër transparencë nga prokuroria, sepse bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese.
“Ky debat duhet sqaruar, a ka prokurori i SPAK të drejtë apo gazetari që e ka nxjerrë, se mund të ketë edhe palë të treta të përfshira. Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese. Por fakti që pas kaq ditësh përgjimi ka rënë, do të thotë se indicio ka rënë. Por vepra penale rezulton se është e regjistruar. Por nëse janë shkelur të drejtat e njeriut apo jo, kjo është çështje debati”, shtoi analisti për Report Tv.
Lajmi kryesor:
Meçe zbardh DOSJEN: Çështja e Veliajt u manipulua, u burgos pa asnjë fakt! SPAK-GJKKO nuk kanë asnjë provë! ‘Harabel’ asnjë financim nga Bashkia
A.Q/I.M/ReportTv.al
