KORÇË-5 persona janë vënë në pranga nga policia e Korccës pasi akuzohen për dhënie të ndihmës të huajve për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
B. Q., 20 vjeç, A. P., 17 vjeç, E. F., 20 vjeç, G. Q., 20 vjeçe banues në Tiranë dhe A. M., 44 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë janë arrestuar nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec.
"Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen nr. 10, Korçë, katër shtetasit B. Q., A. P., E. F. dhe G. Q., duke transportuar me mjetet tip "Benz" dhe "Audi" 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, pranë fshatit Psikupat, Pogradec, mjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin A. M., i cili po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së", thuhet në njoftimin e policisë.