Arjan Aliaj

Përjashtohet nga drejtësia gjyqtari ‘problematik’ Arjan Aliaj, i shkarkuar, i riemëruar, i hetuar! Rama e quajti ‘killer me pagesë’, dhurata nga babai e vjehrra 

14 Korrik 2022, 16:32| Përditesimi: 14 Korrik 2022, 16:36

  • Share

Komisioni i Vetingut ka vendosur dje të përjashtojë gjyqtarin e Tiranës Arjan Aliaj me 15 vjet nga e drejta për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë. Vendimi është rrjedhojë i një lëvizje taktike të gjyqtarit Aliaj, i cili në 18 maj 2022 ka paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dorëheqje e cila është miratuar nga KLGJ. Procesi i Vetingut për gjyqtarin Aliaj kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Pas më shumë se dy vitesh në proces Vetingu, gjyqtari ka dhënë dorëheqjen, duke evituar kësisoj zbulimin e rezultateve në seancë dëgjimore në KPK.

Arjan Aliaj është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Aliaj u kthye në mollë sherri mes gjyqësorit dhe qeverisë në vitin 2016, për shkak se firmosi pezullimin nga detyra të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për çështjen e pajisjes së paautorizuar të përgjimit. Kryeministri Edi Rama e konsideroi gjyqtarin si killer me pagesë dhe të korruptuar. “Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë...”, shkruante Rama. Gjykata e Tiranës reagoi pas akuzave, duke theksuar se po denigrohej një gjyqtar korrekt që është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Edhe Unioni i Gjyqtarëve e quajti të paprecedentë deklaratat e kryeministri dhe ish ministrit të Brendshëm.

Gjyqtari Arjan Aliaj është shkarkuar nga detyra në 20 dhjetor të vitit 2000, për shkelje të rënda në detyrë. Por, vendimi i shkarkimit u shfuqizua si antikushtetues më 2 prill 2003 nga Gjykata Kushtetuese. KLD-ja e kryesuar nga ish-presidenti Bamir Topi, më datë 2 dhjetor të vitit 2009, e ktheu në detyrë gjyqtarin Aliaj.

Në korrik të vitit 2016, Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit nisi një hetim për gjyqtarin Arjan Aliaj, për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”. Në fokus të hetimit ishte një vilë trekatëshe e gjyqtarit në Tiranë. Vila Ka qenë më parë pronë e vëllait të tij, më pas të motrës dhe se fundmi e bashkëshortes së gjyqtarit. Për fatin e hetimeve nuk pati më të dhënë në vijim. 

Pasi u shkarkua nga KLD-ja në vitin 2000, Arjan Aliaj nisi të punojë si avokat. Kur u rikthye në detyrë në vitin 2009, Aliaj ka deklaruar 10 mijë euro dhuratë nga babai i tij, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar 20 mijë USD nga babai i saj.

Aliaj deklaron gjithashtu një apartament në Tiranë me sipërfaqe 103 m2, ndërtuar në vitin 2004 dhe deklaruar 2 milionë lekë, Mercedez Benz, 8.7 mijë euro, ndërsa bashkëshortja 1/3 e shtëpisë 150 m2, trashëguar nga babai me vlerë 70 mijë euro,1/6 e një shtëpie dykatëshe 180 m2 dhe 1/2 e një shtëpie trekatëshe 300 m2, fituar në bazë të një kontrate dhurimi.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?