Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, Barry Lewis nuk e pati të lehtë të tregonte që ishte fotoreporter, ndaj fotografitë e para në vendin tonë i bëri duke u ‘kamufluar’ si arkeolog.
Ishte viti 1990 dhe regjimi komunist nuk kishte rënë ende, ndërsa Sigurimi vijonte të vëzhgonte në çdo qoshe.
“Herën e parë që ishim këtu nuk pëlqeheshin gazetarët, kështu që pretenduam se ishim arkeologë në një tur. Ky ishte viti 1990 dhe duhej të tregoheshim të kujdesshëm, sepse të gjithë na vëzhgonin”, - tregon ai në një bisedë për “Report TV”.
Lewis u rikthye më pas edhe në ditët e para të demokracisë në vitin 1991, kur statuja e Enver Hoxhës kishte vetëm dy javë që ishte rrëzuar, kur s’kishte më nevojë të gënjente, ndërsa 34 vite më vonë fotografi i njohur britanik gjen një vend tërësisht të ndryshuar.
Pamjet e Shqipërisë që përjetësoi përmes aparatit të tij i sjell në një ekspozitë, një rrëfim vizual që sjell përballë dy kohë, dy vështrime, dy botë, në vitet 1990 dhe1991, kaq afër dhe kaq larg njëri-tjetrit.
Lewis erdhi sërish në Shqipëri vetëm disa muaj më vonë, kur statuja e Enver Hoxhës kishte vetëm dy javë që ishte rrëzuar dhe gjërat po ndryshonin.
“Ishte kohë e mrekullueshme, të gjithë ishin të entuziazmuar. Nuk kishte para, por kishte shumë mundësi.”, - vëren Lewis.
Mes fotografive të rralla bardhë e zi që ai ka realizuar për Shqipërinë, Lewis veçon atë të një funerali të një të riu malësor në Kalimash, një foto, që sipas tij, 30 vite më pas ka marrë një jetë të re.
“Pata rastin e parë të shkoja në male. Malësia ishte shumë ndryshe nga jugu dhe kishin kulturë të ndryshme. Ishin të mrekullueshëm dhe më pranuan, madje edhe në funerale. Ata më lejuan të ndaj edhe dhimbjen e tyre në funeral. Është shumë e çuditshme, sepse vetëm dy vjet më parë, dikush që kishte parë fotografitë e mia më telefonoi. Ishte një vajzë që po bënte një master në Gjenevë dhe është një nga fëmijët në këtë fotografi. Ajo më kërkoi t’i nisja dhe i nisa, shumë foto të familjarëve të saj në këtë moment.”
Një tjetër moment që ai veçon është takimi dhe fotografia që i ka bërë shkrimtari Ismail Kadare në Hotel “Tirana” në vitin 1990. Ai vëren se Kadareja ishte pikërisht një nga arsyet pse ai erdhi në Shqipëri.
“Kisha lexuar ‘Prilli i thyer’. Ishte i mahnitshëm dhe doja të shkoja në male.”
Lewis kujton se ishte bashkë me Chris Jagger, vëllai i Mick Jagger i ‘Rolling Stones’ kur takuan Kadarenë.
“Për mua ishte shumë emocionuese të kisha shansin ta takoja Kadarenë. Ne patëm një mbrëmje zyrtare ku Kadare po thoshte: Shqipëria është e mrekullueshme dhe unë kurrë nuk do të largohesha. Por ndërkohë vazhdonte të më shikonte e thuajse po më shkelte syrin. Ai u largua nga Shqipëria dy javë më vonë drejt Parisit. E kam takuar dhe njëherë tjetër në Londër ku biseduam. Shkrimtar i mrekullueshëm. Disa njerëz thonë se ka qenë pjesë e sistemit, por ai nuk ishte. Ai ishte trim dhe përdori romanet për të treguar historinë e Shqipërisë, gjë që nuk mund të bëhej me filma apo revista.”, - tregon Lewis.
Një tjetër fotografi për të cilën Lewis flet, është ajo e fabrikës së fosfatit, një projekt kinez, që shkaktonte ndotje të tmerrshme.
“Nuk munda ta fotografoj në ’90-ën, por në vitin ’91 e fotografova. Ironikisht te kjo fabrikë bënin fosfat për bujqësinë por toka ‘vdiste’. Ishin pesticide shumë të rrezikshme. Zakonisht fotografoj njerëz, por ky rast është një histori e bukur sepse prezanton fillimin e fundit, gjë që ndodh ende sot në vende të varfëra.”
Faktin që fotot e tij janë të gjitha bardhë e zi, Lewis e sheh si diçka pozitive.
“Mendova të bëja fotografia me ngjyra e bardhë e zi kur erdha fillimisht. Por pashë pak ngjyra atëhëre në Shqipëri dhe mendoj se isha me fat që isha në atë periudhë. Këto foto bardhë e zi janë edhe si një lloj kontrasti mes regjimit të Hoxhës dhe ndryshimit.”
Për kuratorët e ekspozitës, puna e Lewis është monumentale.
“E gjithë kjo u lidh në kuadrin e një kolonie artistike që ne po prap sëbashku kemi themeluar prej tre vitesh. Kjo koloni nomade xhiron në trevat tona sikurse ka xhiruar edhe Barry dhe kërkon që ta verë në fokus fotografinë sociale, fotografinë e angazhuar dhe fotografinë e autorit të shoqërisë shqiptare, si një nga gjërat që i munguar së shumti artit apo krijimtarisë në vendin tonë, duke theksuar që fotografia ka qenë thuajse gjithmonë shprehi e propagandës.”, thotë Elton Koritari, një nga kuratorët e ekspozitës.
“Ishte një fotografi bardhë e zi e fotografuar në një nga vendet që ishin në diktaturë që rrotullohej në mediat sociale. Më tërhoqi vëmendjen dhe e mora një ditë me një aplikacion, desha të di ku është bërë kjo fotografi. Kisha dyshim se është nga Shqipëria dhe atje zbulova Barry Lewis. Ai kishte bërë publikime si libër, por kjo është ekspozita e parë e tij me këto imazhe. Pikërisht në Piramidë kthehet shpirti, emocionet, ndjenjat e asaj periudhe, në shëpinë e tyre ku Barry erdhi jo vtëm të fotografojë, por të bashkëndiejë me popullin shqiptar të gjithë vështirësitë e vitit ’90-të të izolimit dhe të vitit ’91 të tranzicionit. Puna e Barry Lewis është një studim antropologjik, studim psikologjik. Në çdo fotografi, në çdo kuadër ndieni mirëkuptimin e tij. Ai ndjeu atë energji pozitive. Ai nuk krijoi vetëm fotografi por bëri thellim antropologjik, psikologjik në shpirtin e njerëzve të vuajtur të asaj periudhe të vështirë të Shqipërisë.”, - shprehet kuratori i ekspozitës, Burim Myftiu.
“Të kesh në Shqipëri një fotograf të ekspozuar si Barry Lewis është fat. Ekspozita vjen e kuruar në mënyrë bashëkohore dhe vesh muret e kësaj galerie me historinë tonë të viteve ’90-’91 nga pikëpamja e një fotografi interesant siç është Barry Lewis.”, - thotë Ena Bulku, drejtuese e galerisë "Gocat", ku ndodhet ekspozita e Lewis.
Barry Lewis është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht, fitues i shumë çmimeve dhe me mbi 20 libra të botuar. Puna e tij është ekspozuar në të gjithë botën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Oxford Museum of Modern Art, Muzeun e Londrës etj.
Komente
