TIRANË- Eria Ago, e njohur në botën e showbizzit si miss e modele, është përfshirë edhe në kronikën e zezë dhe ndodhet në masë arresti, e dyshuar për përkrahje të autorit të krimit, në një vrasje që përfshin 2 familjet rivale në Shkodër, Bajri-Lici, që ndër vite kanë prodhuar disa viktima në përplasjet mes tyre.
Ngjarja i referohet vitit 2018, kur është vrarë në Shkodër, Fatbardh Lici, xhaxhai i të shumëkërkuarit të Licajve, Ibrahim Licit. Për këtë ngjarje, 1 muaj më parë, SPAK zbuloi pas gati 7 vitesh, se organizator është drejtuesi i grupit Bajri, Safeti, i arrestuar së fundi me shumë bujë menjëherë pasi dha një intervistë televizive duke u shfaqur si njeri i thjeshtë e familjar dhe pa histori armiqësie e vrasjesh me Licajt, një zinxhir krimesh që ende nuk po këputet mes 2 familjeve.
Ekzekutorë, SPAK akuzoi edhe Behar Bajrin kushëririn e Safetit dhe Astmer Bilalin, krahun e djathtë të grupit, të dy në qeli në kuadër të operacioneve të mëparshme të SPAK, pas transkripteve te SkyECC.
Por çfarë e lidh ish-misin Eria Ago, një vajzë të shoubizzit shqiptar, me një vrasje, ekzekutim nga një grup i strukturuar kriminal siç e ka cilësuar SPAK?!
Në 10 gusht të vitit 2018, Eria dyshohet të ketë qenë në timon në një makinë shoqëruese, pas asaj të 3 autorëve të identifikuar të grupit Bajri. Burimet nga Prokuroria e Posaçme thonë se Eria Ago udhëtoi me Astmer Bilalin nga Tirana në Shkodër.
SPAK – thonë burimet – ka në dorë disa biseda të saj dhe Safet Bajrit, ndërsa vetëm një ditë para ngjarjes, më 19 gusht, mendohet të ketë qenë duke festuar me Safet Bajrin në tallava në Tiranë.
Nga aty, siç burimet thonë, në orët e para të mëngjesit të 10 gushtit, bashkë me Astmer Bilalin, të tre janë nisur drejt Shkodrës, me 2 automjete, një Benz në përdorim të Safet Bajrit dhe një “Volkswagen” në përdorim të Denis Brajoviç, anëtar i grupit Bajri.
Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, dyshohet se kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur me të cilin janë afruar tek një lokal në lagjen Kiras kur në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen Fatbardh Lici, xhaxhai i rivalit të tyre Ibrahim Lici. Afruan makinën dhe e qëlluan 53-vjecari teksa ndodhej i ulur jashtë lokalit. Pas krimit, dogjën makinën në Dobraç.
Për lidhjen e saj të mundshme më këtë vrasje, ish-missi është marrë në pyetje edhe në vitin 2018, ashtu siç ka ndodhur edhe me Safet Bajrin, por janë liruar më tej për mungesë të provave.
Urdhër arresti i prokurores së SPAK, Elida Kaçkini për vajzën simpatike të shoubizit që akuzohet se ka përkrahur vrasësin të largohet nga vendi i krimit, u lëshua më 26 shkurt, dhe në media u mësua vetëm gjatë ditës së enjte (13 mars 2025), për shkak të një operacioni mjet diskret i cili nuk është dekonspiruar deri në ekzekutimin e urdhër arrestit. Aktualisht thonë burime për Report Tv, e reja është në spitalin e burgut për shkak se ka përjetuar probleme shëndetësore dhe gjendje të rënduar psikologjike.
Siç burimet thonë – Era Ago ka pranuar që ka qenë e lidhur me Safet Bajrin vetëm për 3 javë në kohë kur ka ndodhur vrasja në vitin 2018, ndërsa vlejmë të theksohet se Bajri është i martuar dhe baba.
Gjatë seancës për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, Eria Ago ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër. Por prokuroria thotë se nga raportimet me kompanitë celulare, sinjali tregon të kundërtën, se Ago ka qenë në kryeqendrën e veriut.
Ish-e dashura e Safet Bajrit e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm masën e arrestit në burg, me argumentin sipas avokatit të saj, se provat e SPAK nuk qëndrojnë. Pritet që në shkallën e dytë të gjyqësorit të hidhet shorti elektronik për të përcaktuar gjyqtarin që do marrë në shqyrtim ankimin, ku më pas ky i fundit do caktojë datën e seancës.
Për ngjarjen e 7 viteve më parë, kanë bërë ankimim në Apelin e Posaçëm edhe 3 të dyshuarit për vrasjen e Fatbardh Licit, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, të cilët u arrestuan vetëm 5 ditë para Eria Agos, më 21 shkurt 2025.
Përfshirja e Eria Agos në problemet me drejtësinë daton dhe më herët. E njohur si modele dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss Tourism Quin 2013”, ajo është përmendur edhe në përgjimet që çuan në burg Hermes Nikajn, i njohur ndryshe si “Zogu i Tiranës” si të përfshirë në një rrjet prostitucioni në vitin 2020. Edhe në atë kohë Ago reagoi duke thënë se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.
SPAK akuzon treshen e grupit Bajri se në bashkëpunim kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.
Ashtu si në rastin e ish-të dashurës së tij Eria Ago, edhe arrestimi i Safet Bajrit u bë në një operacion mjaft diskret, urdhër arresti i SPAK u ekzekutua 4 ditë pas firmosjes nga gjykata.
Komente

Pse SPAK priti derië sot për të administruar këto prova?! Do parandaloheshin disa vrasje nëse do ishte vepruar që më 2018!!
Përgjigju