Përktheu kolosët e letërsisë shqipe, bashkëshortja e Lizarralde i dhuron Bibliotekës 155 libra, Kongoli: E donte shumë Shqipërinë! Si u përkthye ‘I humburi’

23 Qershor 2022, 17:52| Përditesimi: 23 Qershor 2022, 18:05

  • Share

TIRANË- Në Shqipëri kish ardhur para rënies së regjimit e puna në shtëpinë botuese ‘8 nëntori’ do t’i forconte lidhjet e tij me shqipen dhe letërsinë e vendit tonë...  Është falë Ramon Sanchez Lizarralde që sot kemi shumë prej “Autorëve shqiptarë të botuar në Spanjë”... Një ekspozitë e çelur në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të Javës së kulturës Spanjolle, pasqyron disa nga titujt e përkthyer nga ai, ku Kadare krijon një sërë veprash të nisura me “Gjeneralin e ushrtisë së vdekur”.

9 vite pas ndarjes së tij nga jeta bashkëshortja, Maria Roces Gonzalez, në shenjë të lidhjes së fortë që ai pati me vendin tonë, i dhuron Bibliotekës 155 libra të autorëve shqiptarë në spanjisht.

“Zanafillën kjo ekspozitë e ka tek akti i gruas së Ramonit, Maria Roces Gonzalez, e cila shprehu dëshirën të dhurojë botimet që ai ka bërë në Spanjë. 154 libra ose 91 tituj. Është një kontribut i madh se janë libra që ne nuk i kemi. Për fat të keq prej 30 vitesh Biblioteka jonë nuk ka pasur mundësi që të sigurojë libra të letërsisë shqipe që përkthehen jashtë”, thotë  studiuesi Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Fatos Kongoli është një nga të zgjedhurit e tjerë të tij, siç e cilësonte vetë Ramon në të gjallë. Nga ‘Lëkura e qenit’ tek “Jetë në kuti shkrepësesh” e ‘Bolero në vilën e pleqve’ janë disa tituj me autorësinë e Kongolit të  përkthyer prej spanjollit. Siç tregon shkrimtari romanin “i humburi” që ai la përgjysmë e çoi në fund bashkëshortja e tij.

“Romani ‘I humburi’ është i fundit që ai përktheu prej meje. Madje nuk mundi ta çojë deri në fund, iku pa e mbaruar! Kështu, e përfundoi bashkëshortja Maria. Unë e kam njohur, takohesha me të. Ai e donte shumë Shqipërinë, kishte krijuar një lidhje të fortë dhe vinte shpesh”, thotë shkrimtari Fatos Kongoli.

Ndër të parët përkthyes të letërsisë shqipe, autorë të tjerë të përkthyer në spanjisht nga Lizarralde janë Mitrush Kuteli, Bashkim Shehu, Mimoza Ahmeti e deri tek Rudi Erebara. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?