Përkthyesja Eglantin Legisi me gazetarin e infiltruar

Bota

Përkthyesja shqiptare 'bie' në rrjetën e 'Daily Mail', 8.000 paund për të nxjerrë nga kampi një shqiptar

5 Maj, 19:18| Përditesimi: 5 Maj, 19:24

  • Share

Një hetim i fshehtë i gazetës Mail ka zbuluar se përkthyes të punësuar nga Ministria e Brendshme janë përfshirë në një skemë mashtruese fitimprurëse, e cila ka për qëllim lirimin nga qendrat e ndalimit të emigrantëve të paligjshëm.

Këta përkthyes marrin deri në 3,000 paund për të vepruar si dëshmitarë të rremë në gjykatë, duke siguruar lirimin me kusht të shtetasve shqiptarë që janë kapur duke hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me dokumente të falsifikuara ose në mënyrë të paligjshme, përmes varkave të vogla apo kamionëve.

Garantuesit e rremë dëshmojnë në gjykatë se do të strehojnë emigrantët në shtëpinë e tyre në rast se lirohen. Por në të vërtetë, ata nuk kanë asnjë lidhje me të ndaluarit për të cilët dëshmojnë dhe janë të gatshëm që këta të jetojnë kudo – përfshirë edhe jashtë kontrollit të autoriteteve – nëse lirohen pa pajisje gjurmimi.

Mbrëmë, Ministria e Brendshme nisi një hetim urgjent dhe premtoi “veprim të shpejtë dhe vendimtar nëse do të jetë e nevojshme.”

Ndërkohë, edhe autoriteti mbikëqyrës i avokatëve nisi hetimet, pasi një avokat i tha gazetarit tonë të infiltruar se mund ta merrte rastin, edhe pse u njoftua se garantuesi do të paguhej dhe nuk kishte asnjë lidhje me emigrantin, duke shpjeguar se do t’i përgatiste për “atë që pritet prej tyre në gjykatë”.

Gruaja që organizonte mashtrimin mburrej se ishte “100 për qind e suksesshme”.

Ajo shpjegonte se, meqë si ajo ashtu edhe garantuesi punonin si përkthyes të pavarur për Ministrinë e Brendshme, “dinim gjithçka” rreth funksionimit të sistemit të emigracionit nga brenda. Garantuesit e rremë dhe emigrantët e ndaluar pajisen me “skenarë” se çfarë të thonë dhe u tregohen fotografi të njëri-tjetrit për të mashtruar gjykatësit se kanë një lidhje, tregonte ajo.

Garantuesit paguajnë një garanci prej 1,000 paundësh, e cila në fakt u është paguar paraprakisht nga emigranti i paligjshëm ose të afërmit e tij.

Kur gazetari i infiltruar shprehu shqetësim se gjykatësi mund të dyshonte për mashtrimin, ajo ia preu shkurt: “Po mendon se qeveria kujdeset? Hajde, të lutem.”

Operacioni i saj i paligjshëm ishte një nga disa skema me garantues të rremë që gazeta Mail zbuloi se po drejtohen nga shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, në një treg që po lulëzon për të përmbushur kërkesat e shumta për lirime me kusht që shkojnë në gjykatë çdo javë.

Hetimi ynë gjithashtu zbuloi se:

:: Përkthyesja e Ministrisë së Brendshme që organizonte mashtrimin ishte shfaqur në televizion në orar primetime në Shqipëri për të kritikuar trajtimin e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar – ndërkohë që komplotonte me gazetarin tonë për të mashtruar autoritetet britanike.

:: Verifikimi i garantuesve gjatë seancave për lirimin me kusht zgjat vetëm disa minuta dhe përfshin disa pyetje bazë.

:: Shqiptarë të tjerë postojnë video në rrjetet sociale që tregojnë sesi të hiqen pajisjet e gjurmimit, të cilat ndonjëherë vendosen si pjesë e kushteve të lirimit.

Udhëzimi ligjor i Ministrisë së Brendshme për gjyqtarët e emigracionit përcakton se një “Mbështetës Financiar i Kushtëzuar” që garanton lirimin me kusht për emigrantë në qendrat e ndalimit duhet të jetë një i rritur që banon në Mbretërinë e Bashkuar me leje qëndrimi të pacaktuar dhe të ketë një “lidhje personale me personin e ndaluar, ose të përfaqësojë një organizatë të njohur që ka interes për mirëqenien e tij.”

Gjyqtarët duhet të vlerësojnë “besueshmërinë dhe reputacionin” e çdo mbështetësi financiar dhe, kur është e nevojshme, të sigurohen nëse emigranti ka një adresë të përshtatshme e të qëndrueshme përpara se të miratojnë lirimin me kusht.

Por familjet e emigrantëve të ndaluar shpesh postojnë kërkesa për garantues në grupe të Facebook-ut për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar shpesh urgjencën pasi i afërmi i tyre pritet të deportohet së shpejti.

Eglantina Legisi, një përkthyese e pavarur me banim në Mbretërinë e Bashkuar që përmes agjencive të përkthimit punon për Ministrinë e Brendshme, gjykatat dhe policinë, si dhe për një avokat të përfshirë në çështje emigracioni, iu përgjigj tre prej këtyre kërkesave, duke u bërë thirrje personave që kishin nevojë për garantues të lidhnin kontakt me të.

Kjo përkthyese, e cila vetë kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar e fshehur në pjesën e pasme të një kamioni pasi kishte përdorur pasaportë të falsifikuar për të ikur nga Shqipëria, shpjegoi më pas sesi funksiononte mashtrimi gjatë një takimi me gazetarin e infiltruar pranë shtëpisë së saj në Welling, Kent.

Ajo i tha gazetarit, i cili paraqitej si mik i një shqiptari të ndaluar pasi u kap duke hyrë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, se për 3,000 paund, plus 1,000 paund për garancinë, mund të punësonte një tjetër përkthyese që punonte për Ministrinë e Brendshme për të vepruar si garantuese.

Znj. Legisi e siguroi gazetarin të mos kishte “frikë” se mashtrimi do të zbulohej, duke thënë se ajo dhe avokati do ta përgatitnin për seancën gjyqësore dhe do t’i bëheshin vetëm disa pyetje të thjeshta.

Sapo të lirohej pa pajisje gjurmimi, mund të jetonte kudo dhe të punonte në të zezë, shtoi ajo.

Ajo tha se avokati që do t’i referonte rastin e dinte se do të përdornin një garantues të rremë dhe “çdo gjë” që po bënin. Në një takim të mëvonshëm me Hassan Malik nga firma HM Legal Ltd në zyrën e tij në Rainham, Essex, ai ishte i gatshëm të merrte rastin edhe pse gazetari tre herë ngriti shqetësimin se emigranti dhe garantuesi nuk njiheshin dhe se garantuesi do të paguhej 3,000 paund.

Ai tha se do të kërkonte 3,500 paund në formë tarifash dhe gazetari do të duhej të diskutonte drejtpërdrejt me znj. Legisi për garantuesin dhe “çfarëdo që ajo kërkonte për të.”
Deri në 12,800 shqiptarë që kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar kanë thyer kushtet e lirimit me kusht midis janarit 2022 dhe majit 2023.

Sekretari në hije për Punët e Brendshme, Chris Philp, tha: “Këto raportime janë të turpshme. Këta përkthyes paguhen për të ruajtur integritetin e sistemit, por në të vërtetë po e mashtrojnë atë dhe publikun britanik – shpesh për të ndihmuar emigrantë të paligjshëm të qëndrojnë në vend.”

Ai kërkoi që përkthyesit të pushohen “menjëherë” nga puna dhe të hetohen për mashtrim dhe përçmim të gjykatës.

“Sistemi i emigracionit po keqpërdoret nga emigrantët e paligjshëm në mënyrë masive dhe nevojiten reforma rrënjësore.”

Një zëdhënës i Autoritetit Rregullator të Avokatëve tha: “Të gjithë avokatët duhet të përmbushin standardet e larta profesionale që publiku pret. Ky raport ngre shqetësime serioze. Jemi duke hetuar dhe, nëse gjejmë prova për shkelje, do të ndërmarrim veprime për të mbrojtur publikun.”

Z. Malik mohoi çdo keqbërje, duke thënë se nuk kishte dijeni për pagesa ndaj garantuesit, për të cilin i ishte thënë se njihte emigrantin sepse ishin të dy shqiptarë. Ai shtoi se znj. Legisi nuk punonte për firmën e tij dhe deklaratat e saj nuk përfaqësonin qëndrimin e tij apo të firmës.

Pas publikimit, znj. Legisi iu përgjigj gazetës Mail duke mohuar se kishte përfituar vetë para nga organizimi i garantuesve.

“Nuk kam kërkuar para, nuk kam bërë ndonjëherë diçka për para, thjesht i ndihmoja,” tha ajo.

Ajo shtoi se motivimi i saj ishte për shkak të problemeve të shëndetit mendor që emigrantët përjetojnë gjatë udhëtimit drejt Mbretërisë së Bashkuar./ Daily Mail

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?