Përkujtohet 22 vjetori i vrasjes së Fehmi Aganit, profesorit dhe zëdhënësit historik të LDK-së

6 Maj 2021, 14:32| Përditesimi: 21 Prill 2022, 16:32

  • Share

Në 22 vjetorin e vrasjes së nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Agani i janë kushtuar tribute të shumta nga liderë dhe figura kryesore të politikës.

Në homazhet e saj presidentja e Kosovës Vjollca Osmani vlerësoi figurën e lartë të Aganit.

“Sot në këtë 6 maj në 22 vjetorin e vrasjes makabre të akademik Fehmi Aganit të njeriut i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e bazamentit të Kosovës së bashku me kryeministrin dhe familjarët bëmë nderime të varri i tij për ta kujtuar në radhë të parë shpirtin e tij liridashës, por edhe liridashësin që nuk reshti kurrë duke punuar”, shtoi presidentja, duke thënë se edhe sot kërkohet drejtësi.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për profesor Fehmi Aganin duke iu referuar të njëjtit si politikan udhëheqës.

“Në 22 vjetorin e rrëmbimit dhe të vrasjes të profesorit Fehmi Aganit erdhëm që të vendosim lule të freskëta për figurën e tij. Ai kishte formim të thellë social, si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi. Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe të argumentimit në mendim”, tha Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me djalin e Aganit, Mentorin, nëpërmjet të cilit ai ka njohur një anë tjetër të heroit kombëtar.

 “Profesor Agani i dha frymë formimit tonë ideologjik, politik e shtetëror. Prandaj dhe u vra si hakmarrje e dëmtim ndaj shtyllës sonë intelektuale e udhëheqëse për shtetësi. Si pjesë e gjeneratës së artë të Lirisë, Pavarësisë e Demokracisë, ai ka motivuar mendjet e tashme e do t’i motivojë edhe ato të ardhshme. Rruga intelektuale dhe politike e tij mbetet udhë rrëfim e mision i pashtershëm për ne në LDK”, ka shkruar Abdixhiku.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • GOLI: 06/05/2021 16:24

    I ÇIK SHKURT E SHQIP: NE GJENDJE LUFTE-ROB TE ÇETNIKËVE UKSHIN HOTI,FEHMI AGANI SI NACIONALISTA SHQIPETAR-U VRANE ....IBRAHIM RUGOVA,ALBIN KURTI NE GJENDJE LUFTE ROB NE DUART E ÇETNIKEVE-I'A DOLEN GJALLE !!! ....KA NJERI QE DO TI JEP ARSYJE ÇESHTJES?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?