Në Mirditë u përkujtua 76-vjetori i Masakrës së Qafë Valmirit, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së kësaj treve.
Për të nderuar 14 burrat, që më 17 gusht 1949 u pushkatuan nga regjimi komunist, familjarë, përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë dhe deputetë të Partisë Demokratike vendosën kurora dhe zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në Qafë Valmir.
'Mirdita ishte në krye të drejtimit të forcave për të mbrojtur territorin e vet për të mos lënë regjimin komunist që të shtrihej në territorin e Mirditës', tha Albert Melyshi, kryetar i Bashkisë Mirditë.
Familjarët dhe të afërmit e të pushkatuarve, apelojnë se kjo ditë e zezë në historinë e Mirditës dhe Shqipërinë, të mos harrohet kurrë si referencë e krimeve të totalitarizmit.
Në shenjë hakmarrjeje, pas vrasjes së sekretarit të parë të Mirditës nga komiteti i maleve, një formacion i armatosur që kundërshtonte diktaturën dhe kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare, forcat komuniste ekzekutuan 17 gushtin e 76 viteve më parë 14 burra nga familje të njohura mirditore.
Masakra e Qafë Valmirit shënoi fillimin e një vale të gjerë terrori komunist në këtë zonë. Qindra persona u burgosën, mbi 400 familje u internuan dhe popullsia u çarmatos me forcë nga ushtria.
Komente
