Shehide Hetemi e dhjetëra shqiptarë të Kosovës si çdo 16 prill, erdhën në Kukës, për të kujtuar ato ditë të tmerrshme të 24 viteve më parë kur u duhej të largoheshin nga banesat e tyre për t’i shpëtuar spastrimit etnik në Kosovë, nga ushtria serbe.
Me muzikë popullore e flamuj në duar, ata marshuan njëlloj si në eksodin e vitit 1999 nga kufiri mes dy vendeve deri në qendër të qytetit të Kukësit, ku gjetën mikpritjen, bujarinë dhe zemrën e hapur për ta.
“Në 99 kemi ikur prej lufte dhe kemi ardhur këtu në Kukës. Njëherë në këmbë e njëherë me traktorë. Këtu na kanë pritur shumë mirë. Faleminderit prej tyre. Me bukë, me fjetje. Na kanë ndihmuar me gjithçka. Vijmë për të kujtuar. Nuk jua harrojmë kurrë. Për ne janë vëllezër. Nga komuna e Lipjanit”, tha ish refugjatja, Shehide Etehmi.
Tafil Cena nga fshati Bicaj, gjatë krizës ka ndihmuar 74 shtetas nga Kosova. Ai kujton se strehimi i tyre në atë kohë ishte i vështirë, por me mund e dëshirë thotë se ia doli.
“Jam Tafil Cena nga Bicaj. Kemi mbajtur shumë familje. Rreth 75 persona. Nga Zhuri e Suhareka. I kemi mbajtur me dëshirën tonë. Nga halli që kishin ata i kemi pranur që të kalonin atë vështirësi. Ka qenë vështirë furnizimi me ushqime. I kemi mbajtur deri në çlirimin e Kosovës nga Nato. Nuk kishim shumë dhoma për fjetje. Pastaj me bukë na ndihmoi dhe shteti. Mbajmë kontakte të vazhdueshme me ata. Shkojmë ne atje, vijnë ata këtu. Mbaj mend dhe një plak të vjetër që ishte i gjakosur dhe që tregonte që me zor kishin shpëtuar. Ditë të vështira”, tha Tafil Cena.
Me shqiptarët e Kosovës që erdhën për të rikujtuar eksodin e 99, ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Kjo është një simbolikë, një dëshirë e madhe e qytetarëve të Kosovës për të përkujtuar këtë ditë. Unë mendoj që asnjëherë populli i Kosovës nuk e ka harruar mikpritjen e madhe që i ka informuar populli i Kukësit”, tha Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë
Rreth 700 mijë persona u strehuan në shtëpi, godina institucionesh e në kampet që u ngritën për pritjen e tyre në Kukës, deri në 13 qershor të 1999 kur Kosova u çlirua nga NATO dhe UÇK.