“Nëna” e 268 fëmijëve, mësuesja e përkushtuar, por edhe spikerja e parë shqiptare në radio, Evanthi Ciko është nderuar në këtë 100-vjetor të lindjes nga miqtë dhe ish-nxënësit e saj.
“Jam tej mase i gëzuar për një fakt, sepse në momentin kur mbarë bota po jeton një situatë të jashtëzakonshme. Në Shqipëri nderohen dhe figura, të cilat me veprën e tyre kanë krijuar vlera të qëndrueshme, por edhe meritojnë të kujtohen gjithmonë”, shprehet djali i saj, dirigjenti Zhani Ciko.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe artistja e njohur Tinka Kurti, e cila rrëfen njohjen e saj me të, gjatë përjetësimit të figurës së nënës në filmin “Si gjithë të tjerët” me regji të Spartak Pecanit edhe skenar të Ruzhdi Pulahës.
“Kur lexova skenarin, e prita me shumë kënaqësi. E vetmja, gjë e mirë që ndodhi asokohe, është që duhet të takohesha me zonjën, me drejtoreshën që kishte drejtuar jetimoren. Unë kam shkuar në shtëpi të saj. Një shtëpi me oborr edhe me shumë lule. Takova një grua fisnike edhe të dashur, që më tha: “Nëse do i duash shumë rolet, siç kam dashur unë fëmijët, atëherë do të arrish t’i realizosh. Unë kam dhënë jetën për ata, më tha, edhe ata që sot që janë martuar edhe kanë jetën e vet, vijnë e më takojnë”, rrëfen artistja Tinka Kurti.
Ndërsa, shkrimtaret Meri Lalaj edhe Vera Bekteshi kujtojnë formimin e saj, në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” edhe punën si mësuese.
“Fati im ishte që shkruajta librin për Institutin “Nëna Mbretëreshë”, edhe u mora me vajzat e para që u arsimuan me atë Institut, të cilave iu desh që të shkonin cep më cep të Shqipërisë për të edukuar vajzat e tjera”, shprehet shkrimtarja Meri Lalaj.
Evanthi Ciko ka qenë mësuesja, edukatorja dhe nëna shembullore, e fëmijëve të jetimores, të cilët ende edhe sot e kujtojnë me mirënjohjeje
“Puna edhe roli i Evanthi Cikos ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm edhe një sfidë e madhe, që kishte të bënte me rrëzimin e mureve të mëshirës dhe stigmës për atë pjesë të shoqërisë, siç ishin fëmijët e braktisur”, shprehet Ilir CCumani, drejtues i Institutit të Jetimores.
Mësuesja e merituar Evanthi Ciko (1920-2013) është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare.