TIRANË- Presidenti Ilir Meta, në atë kohë kryeministër ka përkujtuar Dëshmorin e Atdheut, Arben Zylyftarin, i cili ra në krye të detyrës 20 vite më parë në luftë me krimin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se është me rëndësi jetike që Policia e Shtetit të jetë shembulli i respektimit të ligjit për t’u shërbyer me nder, duke u distancuar nga lidhjet me krimin, politikën dhe praktikat arbitrare.
Presidenti Meta theksoi gjithashtu se lufta kundër drogës dhe banditëve të lidhur me politikën është kusht thelbësor për integrimin europian, dhe çdo neglizhencë do të ketë pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit.
Postimi i plotë
Sot nderojmë me vlerësim, mirënjohje e respekt të thellë kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorit të Atdheut, Kolonel Arben Zylyftarit, i cili ra në krye të detyrës 20 vite më parë në luftë me krimin.
Dita e sotme na risjell në vëmendje qindra Dëshmorë të Policisë së Shtetit, që të udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë qytetare e shtetërore, sakrifikuan jetën e tyre për mbrojtjen e rendit, qetësisë e sigurisë publike, por edhe të vlerave e parimeve që duhet të udhëheqin cilindo që mban veshur uniformën e shtetit.
Është me rëndësi jetike që Policia e Shtetit të jetë shembulli i respektimit të ligjit për t’u shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve, duke u distancuar nga lidhjet me krimin, politikën dhe praktikat arbitrare.
Lufta kundër drogës dhe banditëve të lidhur me politikën është kusht thelbësor për integrimin europian, dhe çdo neglizhencë do të ketë pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit!
Gjaku i Dëshmorëve të Atdheut, nuk do të bëhet ujë dhe mbarë populli shqiptar do t'i kujtojë përherë me krenari e respekt Heronjtë e tij!