Ajo që po ndodh në Gaza "nuk mund të konsiderohet më një emergjencë e thjeshtë: ka prova të qarta se atje po ndodh gjenocid. Deri më tani, Komisioni dhe Këshilli Evropian nuk janë përgjigjur me vendosmërinë që kërkojnë traktatet, vlerat dhe përgjegjësitë tona".
Kjo është ajo që grupet socialiste, të gjelbra dhe të majta të BE-së i shkruajnë në një letër drejtuar Ursula von der Leyen, Antonio Costa dhe Kaja Kallas.
Tre grupet kërkojnë zbatimin e një "embargoje armësh" ndaj Izraelit dhe "pezullimin e marrëveshjes së asociimit" me shtetin hebre.
Mëngjesin e të mërkurës 20 persona u vranë në Rripin Qëndror të Gazës, pasi një kamion me ndihma u përmbys dhe ra mbi njerëzit, të cilët po përpiqeshin të merrnin ushqime.
Shoferët e kamionëve thonë se shpërndarja e ndihmave bëhet e rrezikshme, ndërsa Hamasi akuzon Izraelin se po i detyron shoferët e kamionëve të ndjekin rrugë të pasigurta për të arritur në qendrat e shpërndarjes.
Qeveria e Rripit të Gazës i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë. Plani i Kryeministrit Netanjahu për pushtimin e Gazës është vënë në pikëpyetje nga udhëheqësit e IDF-së dhe shqetësime të forta kanë ngritur edhe rezervistët.
Kritikat veçojnë mungesat e mëdha që ka ushtria, mungesën e shpërndarjes së barabartë të barrës së mbrojtjes së vendit dhe planet ushtarake "larg realitetit".
Sipas tyre Izraeli po përballet me sfida të papara të sigurisë, megjithatë vazhdon të veprojë sikur të ketë një numër të pafund luftëtarësh.
Një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se do të ketë “pasoja katastrofike” nëse Izraeli zgjeron operacionet e tij në Gaza.
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm, Miroslav Jença i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se një veprim i tillë mund të rrezikonte jetën e më shumë palestinezëve, si dhe pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.
Media britanike ‘The Guardian’ ka publikuar pamjet nga ajri, ku Gaza shfaqet si rrënojat e një qytetërimi të lashtë e të nxjerrë nga gërmimet.
Një mozaik formash betoni të rrënuara, rrugë që nuk të çojnë askund dhe mbetje të qyteteve të zhdukura.
Komente
