Juventusi fitoi 2-3 me përmbysje kundër Leipzig në raundin e dytë të Champions League. Edhe pse me dhjetë lojtarë, penallti kundër dhe dy dëmtime në 12 minutat e para, "Zonja e Vjetër" përmbysi gjithçka dhe siguroi tri pikë. Pas ndeshjes, trajneri Thiago Motta tha se është krenar për lojtarët e tij.
“Ne luajtëm një ndeshje të mirë që nga pjesa e parë, por na mungonte bindja në vazhdim. U paraqitëm më mirë në pjesën e dytë, edhe pse ishim me 10 veta. Performancë dhe fitore e mirë. Lojtarët e mi kishin guxim, e pashë që në fillim se ishin të bindur për të ecur përpara. Besova se mund ta lëndonim kundërshtarin edhe me 10 lojtarë. Bëmë mirë deri në minutën e fundit”
“Është herët për të ditur se çfarë rruge mund të marrim në Champions League. Tani duhet të mendojmë për kampionatin dhe Cagliarin, që vjen nga një fitore”, tha ai.
Për dëmtimet e Bremer dhe Nico Gonzalez ai shtoi.
“Duhet të bëjmë testet, të shpresojmë që të mos i humbasim, edhe nëse do të na mungojnë me siguri për një kohë të shkurtër. Të gjithë djemtë janë të rëndësishëm”.
Tri pikët i ka paguar shtrenjtë edhe Motta, që tregon detaje nga festa e golit të tretë.
“Kam një bërryl nga Gatti në ballë… Ai është pjesë e një ekipi, e një grupi që vesh një fanellë të rëndësishme. Ky është mentaliteti që duhet të kemi, duhet të jetë baza e një grupi dhe e një ekipi. Çfarë kanë demonstruar djemtë sonte në fushë na jep krenari të gjithëve.Falënderoj stafin që punon për ta, tifozët që erdhën sot në stadium, tifozët që ndoqën përmes televizionit. Kjo lloj fitoreje transmeton emocion, përcjell dëshirë, përçon përkushtim, guxim. Jam i lumtur për lojtarët, sepse bënë paraqitje të shkëlqyer në situata negative, të cilat i trajtuam në mënyrën e duhur”, përfundoi trajneri.
Juventusi luan në shtëpi kundër Stuttgart më 22 tetor për raundin e tretë në Champions League.