Përmbytjet në Teksas

Bota

Përmbytje në Teksas përfshin një kamp veror: Të paktën 13 viktima, shumë të zhdukur

4 Korrik, 23:14| Përditesimi: 4 Korrik, 23:17

  • Share

Të paktën 13 të vdekur të konfirmuar dhe qindra të zhdukur. Ka frikë se mes viktimave mund të jenë edhe shumë fëmijë që bënin pjesë në mbi një duzinë kampesh verore. Bilanci i përmbytjes së “katastrofike” që goditi Teksasin në Ditën e Pavarësisë, festë kombëtare, është përkeqësuar me kalimin e orëve.

Tre qarqe në perëndim të kryeqytetit të shtetit, Austin, u përmbytën nga një përzierje balte dhe uji pas një nate me reshje të dendura shiu, gjatë së cilës ranë deri në 30 centimetra ujë. Rrëshqitjet e dheut në tokat e thata shkaktuan një nga fryrjet më të larta të regjistruara ndonjëherë të lumit Guadalupe, me nivele që në disa pika u rritën me gati shtatë metra. “Po mobilizojmë të gjitha burimet e mundshme – deklaroi në X guvernatori Greg Abbott – për të reaguar ndaj përmbytjes shkatërrimtare në zonën e qarkut Kerr”. Në ndihmë janë angazhuar dhjetëra ekipe shpëtimi, Garda Kombëtare dhe Departamenti i Sigurisë Publike. “Prioriteti – shtoi guvernatori – është shpëtimi i jetëve njerëzore.”

Stafi i Camp Mystic, një kamp veror për vajza, arriti të njoftonte prindërit se të gjitha pjesëmarrëset ishin gjetur dhe ishin në gjendje të mirë. Edhe kampe të tjera, si Rio Vista, Sierra Vista, La Junta, Waldemar, dhe Texas Lions Camp, konfirmuan se pjesëmarrësit ishin të sigurt. Megjithatë, jo nga të gjitha kampet kanë ardhur njoftime qetësuese.

Kryetari i bashkisë së Kerrville, Joe Herring, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të një katastrofe mjedisore. Gjykatësi i qarkut, Rob Kelly, urdhëroi banorët që jetojnë pranë brigjeve të lumenjve të evakuohen menjëherë. Rrugë dhe autostrada janë shkatërruar. Energjia elektrike dhe uji i pijshëm janë të paarritshëm. Qendra për ribashkimin e familjeve janë ngritur në të paktën dy zona. Pamjet nga helikopterët tregojnë lumenj me ujë të turbullt atje ku më parë ndodheshin rrugë, shtëpi dhe kopshte. Situata, sipas mediave lokale, pritet të përkeqësohet më tej, si për nga bilanci i viktimave, ashtu edhe për shkak të kushteve gjithnjë e më të vështira klimatike. Reshje të tjera të rrëmbyeshme ishin paralajmëruar për gjatë natës.

Teksasi nuk është i panjohur me tragjedi të tilla. Në vitin 2015, ndodhi një nga përmbytjet më të rënda në histori, kur niveli i lumit Blanco u rrit me 12 metra për pak orë, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave. Përmbytja e Houstonit në vitin 2017 ishte po ashtu shkatërruese, edhe pse atëherë u shkaktua nga një uragan që solli mbi një metër e gjysmë ujë për disa ditë. Atëherë humbën jetën mbi 100 persona. Lumi Guadalupe, në qendër të tragjedisë së djeshme, kishte dalë nga shtrati edhe në vitin 2002, përsëri në zonën e Kerrville, ku humbën jetën tetë persona./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?