Kronikë

Përmbytjet, Ademi i përgjigjet Mesit, Panariti: Të shpallet emergjenca

21 Mars 2018, 16:06| Përditesimi: 21 Mars 2018, 16:07

  • Share

 

Ish-Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ishte i ftuar në Report Tv për situatën e përmbytjeve në zonën e Shkodrës, por edhe zona të tjera të vendit nga reshjet e ditëve të fundit dhe shkarkimet e HEC-eve. Panariti bëri thirrje edhe njëherë që të shpallet gjendja e emergjencës në Shkodër.  “Duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, pasi situata është e vështirë prej disa ditësh.

Janë dëmtuar të mbjellat, ndërsa banesat janë rrethuar nga uji. Duhet një fond i posaçëm për katastrofat natyrore” u shpreh ai ndër të tjera.  Gjithashtu, ish-ministri i LSI kërkoi që sistemi i kullimit dhe vaditjes te kaloje dikasterit qendror. Ndërkohë që në mesditë, kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi i është përgjigjur zv/ kryeministres Mesi, e cila theksoi në një deklaratë për mediat se nuk do të shpallet emergjenca, por do të shtohen ndihmat.

Pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave, Mesi vendosi shtimin e ndihmave në zonat e përmbytura, si në ushqime dhe në forca në terren, por nuk vendosi shpalljen e gjendjes së emergjente. Ndërsa Ademi u shpreh se vendimi i sotëm, është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj. Ndërkohë që zv/kryeministrja Senida Mesi ka mbërritur në Shkodër rreth orës 15:00 dhe po zhvillon një takim me Prefektin. Situata në disa njësi në Shkodër vijon që të jetë shumë problematike prej më shumë se tre javësh.

Deklarata e plotë e Voltana Ademit
Sot mendoja se do të më duhej të dilja para mediave për të njoftuar shpalljen e emergjencës civile nga qeveria shqiptare për zonat e përmbytura. Të gjitha indikacionet ishin se sot, Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile në Tiranë, do të shpallte gjendjen e emergjencës civile pjesore në zonat e përmbytura të Bashkisë së Shkodrës.

Pas kërkesës time të datës 5 mars 2018 në Komisionin e Emergjencave Civile të Qarkut dhe dërgimit të saj në instancat qeveritare në Tiranë me 9 mars 2018, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile të Republikës z. Shemsi Prençi dhe prefekti i Qarkut Shkodër z. Çesk Millja që kërkuan shpalljen e emergjencës civile.

Të dashur banorë të zonave të përmbytura të Bashkisë së Shkodrës,

Jam e detyruar t’u jap një lajm jo të mirë: Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë.

Më e keqja është se këtë përgjegjësi të rëndë refuzuese të një të drejte legjitime të banorëve në zonat e përmbytura, ia lanë një bashkëqytetareje, e zgjedhur deputete edhe me votat tuaja. Këtë herë Shkodrën qeveria ka vendosur ta dënojë duke përdorur një shkodrane dhe kjo, të gjithëve ne, na lë një shije të keqe.

Vendimet e marra nga Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile në fakt, janë vetëm përsëritje e asaj, që të gjithë bashkë po kërkojmë dhe po bëjmë prej 3 javësh në territor: Të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për banorët dhe ujë të pijshëm; të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për gjënë e gjallë si dhe të shtohen forcat në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre. Edhe këto gjoja vendime, janë vetëm një tallje për banorët në zonat e përmbytura.

Vendimin e sotëm të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile në Tiranë, do ta konsideroja një turp të madh dhe nëpërkëmbje e qytetarëve dhe institucioneve të tyre përfaqësuese në nivel vendor. Me keqardhje më duhet ta pohoj publikisht se vendimi i sotëm, është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj.

Me këtë dalje publike, dua të siguroj banorët në zonat e përmbytura se do të vazhdojmë të jemi pranë tyre siç kemi qënë deri më tani. Po ashtu, do të jemi të parët dhe përkrah tyre, për të kërkuar dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara, të cilat kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.

d.b/shqiptarja.com

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?