Të paktën 111 njerëz kanë vdekur dhe 700 mijë të tjerë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Bririn e Afrikës në javët e fundit.
Sipas një njoftimi të organizatës joqeveritare Save the Children, në mesin e viktimave janë 16 fëmijë.
Reshjet e pandërprera në qarqet veriore të Kenias dhe kryeqytetin Nairobi kanë çuar në përmbytje të përhapura, duke zhvendosur rreth 36 mijë njerëz, raportojnë mediat e huaja.
Përmbytjet janë të fundit në një seri ngjarjesh ekstreme të motit në vitet e fundit që godasin Afrikën, ku fëmijët dhe komunitetet e gjejnë veten në 'fundin' e krizës globale të klimës.
Agjencia e ndihmës po bën thirrje për ndërhyrje urgjente kombëtare dhe ndërkombëtare për t'iu përgjigjur zhvendosjes masive në Kenia, Etiopi dhe Somali.
Shumë nga familjet e zhvendosura, duke përfshirë mijëra fëmijë, tashmë kanë nevojë për furnizime emergjente si ushqim, strehim, ujë të pastër dhe tualete.
Fenomeni El Niño rriti reshjet e sezonit të shirave në rajon, duke prekur kryesisht Somalinë, por edhe Etiopinë dhe Kenian.
Drejtori i vendit të Save the Children për Somali, Mohamud Mohamed Hassan, tha:
“Ne po bëjmë thirrje për veprime urgjente për të ndihmuar komunitetet të përgjigjen dhe të mbrojnë më mirë jetën e fëmijëve dhe të zvogëlojnë ndikimin afatgjatë. Ndërsa fëmijët janë më të cenuarit ndaj krizave si këto, ata janë gjithashtu jashtëzakonisht elastikë. Me mbështetjen e duhur, të dhënë në kohën e duhur, ata mund të kapërcejnë edhe sfidat më të paimagjinueshme.”