Përmbytjet në vend/ Çoçoli: Qytetarët nuk ankohen kot, nuk është bërë sa duhet! Zv.ministri i Bujqësisë: 8% e buxhetit vendor kompensim për të prekurit

25 Janar 2023, 19:36| Përditesimi: 25 Janar 2023, 21:29

  • Share

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut që përfshinë vendin nga datat 19 deri në 23 janar kanë shkaktuar dëme të shumta për fermerët e zonës së Lezhës dhe të Shkodrës. 

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli tha se pavarësisht se zona e ultërsirës perëndimore ishte përmbytur herë pas here për shkak të reshjeve të shiut, qeveria ende nuk ka marrë masat e duhura për pastrimin e kanaleve të ujërave të larta ose ndërtimin e një hidrovori të ri. 

“Femerët dhe banorët nuk ankohen kot. Jo çdo gjë shkon mirë. Me çfarë na kanë dhënë mediat, jo të gjitha kanalet kanë qenë të pastruara siç duhet, flitet për kanalet e ujërave të larta të cilat nuk kanë funksionuar siç duhet.  Nuk mund të flitet për punë të pabërë por nuk mund të quhet punë e bërë e përkryer. Sepse është folur për hidrovorin e Balldrenit që zgjidh shumë punë por nuk dihet kur do fillojë puna për ta rehabilituar”- u shpreh Çoçoli.

Zëvendës ministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari tha se nuk mund të ndërhyhej për ngritjen e argjinaturave sepse mund të shkaktonte përmbytje në Mal të Zi. Sa i takon investimeve të bëra nga ana e minsitrisë që përfaqëson, Jaupllari tha se mund të përballojnë një sasi të caktuar reshjesh. Ndërsa sa i takon hidrovoreve, Jaupllari tha se nuk do të ndërtoheshin hidrovore të rinj por do të investohej në rritjen e kapaciteteve të hidrovoreve ekzistues. 

“Zona e ultërsirës është një zonë depressive. Investimet që janë kryer nga ministria, janë të mundshme të përballojnë një sasi të caktuar reshjesh. Ne nuk mund të lejojmë ngritjen e argjinaturave në atë nivel që të përmbytet shteti tjetër, pra Mali i Zi.

Ne nuk do ndërtojmë më hidrovorë të rinj por duhet të rrisim kapacitetin që të shtojmë pompat që të thithin ujin. Në dy hidrovoret e Oxharës, po rrisim kapacitetet me fonde të cilat janë përcaktuar për pompat që të heqin ujin në mënyrë efektive. Kanalet e larta janë pothuajse të gjitha të pastruara”- tha Jaupllari. 

Ndërkohë eksperti i ekonomisë tha se pushteti qendror duhet të marrë masa për të caktuar një shumë më të madhe në ndihmë të familjeve të fermerëve të cilët përmbyten pothuajse tre herë në vit.  

“Qeveria jonë nuk mund t’i ndihmojë këta fermërë? Sepse janë disa zona, nuk përmbytet e gjithë Shkodra. Përmbyten 4-5 mijë hektarë tokë bujqësore. Bëhet fjalë për tre mijë familje fermerës që duhet t’u paguhet toka. Qeveria të japë diçka fillimisht sepse ngelën duke u përmbytur këta njerëz”- shtoi Çoçoli.

Sa i takon kompensimit të banorëve të prekur nga përmbytjet, zëvendës ministri i Bujqësisë, tha se sipas ligjit 8% e buxhetit të pushtetit vendor do të shkojë në ndihmë të fermerëve të prekur. Ndërsa shtoi se nëse kjo shumë nuk mjafton, atëherë institucionet e pushtetit vendor duhet të kërkojnë shuma të tjera nga buxheti i shtetit. 

“Për banorët e prekur nga përmbytjet, është shkruar në ligj që 8% e buxhetitet të pushtetit vendor do shkojë për kompensimin e tyre dhe nëse kjo nuk mjafton, atëherë duhet t’i kërkojë buxhetit të shtetit”-theksoi Jaupllari.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?