Përmirësimi? Ose bashkë, ose asnjë!

22 Nëntor, 13:52| Përditesimi: 22 Nëntor, 13:55

  • Share

Nuk jam nga ata që mendojnë se ne shqiptarët jemi gatuar keq. Kemi vlera të mrekullueshme, të rralla e në zhdukje e sipër mes njerëzve në botë, por them gjithësesi që duhet të ndryshojmë. Duhet të përmirësohemi, sidomos kur jemi përballë vështirësive apo përballë të keqes.

Kur jemi përballë vështirësive, cilatdo qofshin ato, disa prej nesh reagojnë si të ishin fëmijë duke treguar me gisht të tjerët: E ka fajin ai, ajo, ata, ato! Përherë! Pak prej nesh marrin përgjegjësinë me pjekurinë e moshës apo të eksperiencës e të bëjmë një reflektim individual, personal. Ndoshta të mësuar me familjen, fisin, klanin, ku çdo dhimbje ndahet, përpjestohet, kohët moderne na kanë gjetur të papërgatitur teksa ndodhemi të vetëm në hallet tona unike. Kur një problem na ndodh, e para gjë që bëjmë është të shohim përreth, ndërkohë që duhet ta nisim e të shohim brenda e të “lajmë hesapet” me veten pikësëpari. Bërë kjo, mund të hedhim vështrimin kudo dhe mbi cilindo.

Nuk e di se ç’fund “tragjik” kanë pësuar “të mënçurit” e përrallave dhe të legjendave në shoqërinë tonë, pasi, duhet të ketë qenë me siguri një kohë kur ata ekzistonin dhe jepnin këshilla me thasë. Sot duket se fjalët e mençura e të urta mes nesh janë po aq të rralla sa dhe forca që duhet të kemi për të përballur vështirësitë e jetës.

Edhe në rastin e ngjarjes së rëndë të vrases së 14 vjeçarit në Shkollën “Fan Noli” në Tiranë, përsëritet e njëjta skena e parë mijëra herë mes nesh: Dikush mendon gjithmonë se faji është i dikujt tjetër dhe diku tjetër, pa reflektuar se pa kontributin e të gjithëve, asgjë nuk përmirësohet. O të gjithë, o asnjë!

Edhe internetin, këtë hapsirë të pafundme informacioni të rritur e të vegjël mund ta përdorin për të gjetur edhe më të mirën aty.

Ka mënyra të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve për përdorimin e përgjegjshëm të mediave sociale duke filluar me ndërgjegjësimin për pasojat. Fëmijët dhe të rinjtë mund të kuptojnë se urrejtja dhe dhuna në rrjetet sociale ka pasoja serioze, si për ta ashtu edhe për të tjerët. Por këtë nuk mund ta bëjnë kurrësi vetëm, ose vetëm shkolla, ose vetëm familja, ose vetëm shteti. Nëse vetëm një hallkë bie, të tjerat do të çalojnë.  Sot jemi të lirë, jemi më vetëm, por në mënyrë paradoksale një rrjetë e padukshme dhe misterioze na lidh edhe më fort se më parë në fatin e përbashkët. Prindërit, shkollat, shoqëria duhet të inkurajojnë të rinjtë të reflektojnë mbi ndjenjat e të tjerëve dhe të shmangin komentet ofenduese apo përjashtuese. Por nëse në mjedisin që i rrethon kjo mungon? Shembujt përreth janë më të thatë se ato që të rinjtë vetë kanë në dispozicion?

Prindërit duhet të jenë të përfshirë dhe të kujdesshëm për mënyrën se si fëmijët e tyre përdorin rrjetet sociale. Kjo nuk do të thotë kontroll, por dialog i hapur mbi përmbajtjen që konsumojnë dhe publikojnë. Një marrëdhënie e shëndetshme mes prindërve dhe fëmijëve ndihmon në parandalimin e ndjenjave të izolimit që mund të çojnë në sjellje të dhunshme. Por ndodh që shpesh prindërit nuk shohin dhe nuk dëgjojnë. Vetëm urdhërojnë.

 Nga ana e tyre shkollat mund të përfshijnë lëndë ose aktivitete që i mësojnë nxënësit për rëndësinë e komunikimit etik në internet. Mësueset duhet të jenë të vëmendshëm ndaj sinjaleve të dhunës ose bullizmit midis nxënësve dhe të marrin masa të menjëhershme për t’i shuar ato. Por nëse indiferenca, apo më keq, mungesa e kompetencës dhe e meritokracisë për vendin dhe detyrën që mbajnë është më e fortë se të gjitha këto? Një mësues i paaftë nuk do të ketë as sy e as veshë të dëgjojë. Një mësues i paaftë nuk do të dijë të dallojë kufirin e hollë mes të drejtave dhe detyrave, midis të tolerancës dhe faljes. Një mësues i paaftë bëhet i drunjtë më keq se burokrati më i dobët i një administrate të ngurtë. Një mësues i paaftë, humb zemrën.

Rrjetet sociale, mediat duhet të kenë mekanizma më të fortë për të ndaluar dhe hequr përmbajtjen e urrejtjes ose nxitjes së dhunës. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësohen si të komunikojnë përmbajtjet që nxisin urrejtje ose dhunë. Kur të rinjtë janë të angazhuar në aktivitete fizike, sociale dhe kreative, ata kanë më pak mundësi të përfshihen në konflikte online. Organizimi i grupeve që promovojnë bashkëpunimin dhe respektin ndihmon në krijimin e një kulture mbështetëse midis të rinjve. Figura të njohura në media dhe rrjete sociale duhet të japin shembuj pozitivë për të rinjtë, duke shmangur gjuhën e urrejtjes dhe promovuar vlerat e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Institucionet duhet të krijojnë dhe zbatojnë ligje që ndëshkojnë aktet e bullizmit dhe nxitjes së dhunës online. Fëmijët që përfshihen në dhunë, si viktima ashtu edhe autorë, duhet të marrin mbështetje profesionale për të kuptuar dhe zgjidhur shkaqet e këtij sjelljeje.

Parandalimi i dhunës midis të miturve që buron nga urrejtja sociale kërkon një përpjekje të përbashkët nga prindërit, shkollat, institucionet dhe media. Edukimi, komunikimi dhe mbështetja janë elementët kryesorë për të ndërtuar një kulturë respekti dhe bashkëjetese. Por të gjithë këtë mund ta bëjmë ose bashkë, ose asnjë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?