Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron

Bota

Përmirësohet situata e COVID-19 në BE

26 Maj 2021, 11:21| Përditesimi: 26 Maj 2021, 11:25

  • Share

Tendenca është pozitive. Numri i infektimeve me Corona po bie. Ky është mesazhi më i rëndësishëm sipas krerëve të qeverive dhe shteteve të BE. Treguesi i Coronës, numri i infektimeve të bazuara në teste është në rënie prej javësh në Europë. Shumica e shteveve të BE kanë filluar kthimin në jetën normale: hapjen e dyqaneve, gastronomisë, hapjen e teatrove, hoteleve apo shkollave. Të gjitha këto me rregulla shumë të ndryshme për testimin, kohën e hapjes apo kufizimet e lëvizjes apo detyrimin për maskën.

Sipas të dhënave të Autoritetit të BE për Mbrojtjen nga Pandemitë, ECDC treguesi për infektimet me Corona në shumë vende të BE qëndron nga 60-120. Vetëm në Francë, vendet baltike apo Suedi kjo shifër është dy herë më e lartë. Britania e Madhe, Finlanda apo Portugalia si edhe disa ishuj kanë vlera që lëvizin nga 30 deri në 60 infektime në javë për 100.000 banorë.

Nuk ka një procedurë të njësuar në BE, se si të veprohet me pandeminë, por një vlerësim të përbashkët. "Shpejtësia e vaksinimit është shtuar në të gjithë Europën, dhe kjo duhet të mbetet kështu. Së bashku me një gjendje më të mirë epidemiologjike, kjo na lejon që të hapim sërish shoqëritë tona. Megjithatë duhet të mbetemi të kujdesshëm", thuhet në një deklaratë të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE.

Strategjitë e ndryshme të përdorura në luftë kundër virusit, nuk e shqetësojnë më BE. Në këto muaj të pandemisë u mësua leksioni, se politika shëndetësore është çështje kombëtare, e në shumë rajone mbetet edhe çështje rajonale. "Shifrat shkojnë në drejtimin e duhur, por vendet e BE kanë përvoja shumë të ndryshme me pandeminë", thotë kryeministrja estoneze, Kaja Kallas për Deutsche Wellen. Tani duhet ta drejtojmë vëmendjen jo vetëm tek të sëmurët, por edhe tek njerëzit e papunë dhe pasojat psikologjike të Coronës.

Certifikata që do të lehtësojë udhëtimet

Në fund të samitit të BE, krerët e shteteve dhe qeverive u shprehën në mënyrë të përgjithshme për certifikatën digjitale të Covidit, se "përpjekjet për koordinim do të vazhdojnë deri në verë". Përcaktimi "certifikata e gjelbër e vaksinimit" u hoq, pasi sipas Parlamentit Europian ai ishte çorientues. Me këtë certifikatë digjitale nga 1 korriku do të mundësohet udhëtimi  pa detyrime karantine apo formulare hyrjeje për të vaksinuarit, të shëruarit dhe të sapotestuarit. Po ashtu u vendos që të ketë përjashtime, sipas vlerësimeve shkencore për pandeminë. Nga ana tjetër çdo shtet vendos në fund vetë, se cilat rregulla vlejnë në territorin e tij me këtë certifikatë, si psh hyrja në një restorant, sallë koncerti etj. E qartë është vetëm, se BE do të verë në veprim platformën teknike për njohjen reciproke të certifikatave kombëtare të vaksinimit.

Të llogaritet edhe mundësia e varianteve të virusit

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE u shprehën për të riparë edhe njëherë rekomandimet për udhëtimin brenda BE deri në mesin e qershroit. Këtu bëhet fjalë për kufizime, në vendet, në të cilat shfaqen variantet e virusit Corona. "E dimë, se këtu duhet të diskutojmë më shpejt, për të reaguar më shpejt", tha kancelarja Merkel. Edhe rregullat për udhëtimet nga vendet e treta të BE do të rishikohen. Aktualisht ka kufizime të dyashme të ndryshme për të gjitha vendet e botës.

Heqja e këtyre kufizimeve varet në masë të madhe nga progresi i vaksinimit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shpreh se pritet që deri në fund të javës rreth 46% e të rriturve të jenë vaksinuar për herë të parë. Megjithatë brenda BE ka dallime të mëdha. Nëse në Bullgari janë vaksinuar 13,2% e popullsisë në Maltë kjo shifër është 60%.

Donacione për Covax

Në BE po rritet me shpejtësi numri i dozave të vaksinimit. Deri në fund të vitit pritet të prodhohen 2,6 miliardë doza, të cilat nuk do të nevojiten të gjitha për 450 milionë banorët e BE. Një pjesë e tyre do të dhurohen për fushatën botërore të vaksinimit Covax. Pjesën tjetër të dozave, Covax do duhet ta blejë me donacione të mbledhura në shtetet e pasura industriale, ashtu si ishte planifikuarnga BE dhe OBSH, kur u krijua para një viti Covax. BE ndjek synimin e ngritjes së kapaciteteve prodhuese në vendet e varfra. Idenë e SHBA për shfuqizimin e përkohshëm të patentave për prodhimin e vaksinës, vendet e BE nuk e përmendin në deklaratën e tyre. Një hap i tillë refuzohet nga Franca, Gjermania dhe Holanda-  bëhet fjalë për shtimin e shpejtimin e prodhimit dhe jo për pasurinë intelektuale, është qëndrimi i këtyre vendeve.

Një goditje e rëndë për fushatën botërore të vaksinimit është pezullimi i përkohshëm i punës së koncernit të  prodhimit të vaksinës "Serum Institute" në Indi, i cili furnizon Covax. Sipas qeverisë së Indisë, ky prodhues duhet të prodhojë përkohësisht vetëm për Indinë që ka nevojë të madhe për vaksina. Nuk dihet si do të zëvendësohen disa qindra milionë doza që ishin paraparë për Covax./ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?