Foto ilustruese

Bota

Përparim i ri i ushtrisë izraelite në Gaza: 80% e enklavës është ‘e ndaluar’

3 Qershor, 07:35| Përditesimi: 3 Qershor, 07:38

  • Share

Me ndërprerjen sërish të negociatave për armëpushim, ofensiva ushtarake e Izraelit zgjerohet, merr pothuajse të gjithë Khan Younis, godet një pallat në Jabalia ku humbin jetën tridhjetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, dhe ngushton më tej hapësirën jetike të palestinezëve në Rripin e Gazës. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, tashmë 80 për qind e territorit është jashtë përdorimit, pra në teori i pabanueshëm, pasi është shpallur zonë ushtarake ose është nën urdhër evakuimi.

Në teori, sepse në praktikë shumë banorë të Gazës qëndrojnë ende në shtëpitë e tyre, edhe nëse janë të rrënuara, gjysmë të shkatërruara ose në zona me rrezik të lartë. Nuk kanë ku të shkojnë: kampi me çadra në al Mawasi është i mbushur, urdhri i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) për të larguar banorët nga disa lagje perëndimore të Khan Younis ka mbushur Deir al Balah dhe zonën deri në Rafah, ku janë vendosur 3 nga 4 qendrat aktuale të shpërndarjes së ushqimit, të menaxhuara nga fondacioni amerikan Gaza Humanitarian Foundation. “Është plani i Netanyahut për të shtyrë popullsinë drejt jugut, për ta përqendruar në një vend të vetëm dhe më pas për t’i detyruar të largohen”, denoncojnë prej javësh organizatat joqeveritare që nuk marrin pjesë në sistemin e ri humanitar të militarizuar që mbështetet në kontraktorë të armatosur.

Ndryshimi i intensitetit të operacionit Karrocat e Gedeonit vjen pas deklaratës së ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz: “Të vazhdohet avancimi në Gaza drejt të gjitha objektivave, pavarësisht nga çdo negociatë”. Mediat palestineze njoftuan dje në mëngjes për përparimin e ushtrisë nga qendra në jug të Rripit, në drejtim të Khan Younis.

Më pas erdhi dhe konfirmimi nga vetë ushtria: “Trupat kanë zgjeruar manovrat tokësore, kanë eliminuar terroristë dhe kanë shkatërruar shumë depo armësh dhe infrastrukturë terroriste, përfshirë ato nëntokësore”, ndërkohë që aviacioni ka goditur “dhjetëra objektiva në gjithë Gazën, përfshirë celula terroriste, ndërtesa të përdorura nga grupe terroriste, tunele, depo armësh”. Ndër to edhe një ndërtesë në Jabalia, skena e një tjetër masakre ndaj civilëve: të paktën 14 të vdekur të konfirmuar, mes tyre gjashtë fëmijë dhe tre gra, me rreth njëzet persona të zhdukur nën rrënoja. Shumë nga viktimat ishin anëtarë të një familjeje të vetme. Pallati, që strehonte gjithashtu familje të pastreha, “kishte qenë më parë objektiv bombardimesh”, thotë Musa al-Bursh, që i mbijetoi sulmit.

Pas 605 ditësh lufte, numri i të vdekurve ka kaluar 54 mijë, sipas të dhënave të autoriteteve lokale. Në Beit Lahiya, sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, një sulm ajror ka goditur Qendrën Noura al-Kaabi, qendra e fundit për dializë në veri të Rripit të Gazës. Në Khan, buldozerët rrëzuan një mur të spitalit europian.

Një raketë e lëshuar nga Houthit, e drejtuar drejt Jeruzalemit, është interceptuar shumë larg kufijve të Izraelit. Ndërkohë Hamas, i cili me përgjigjen e tij të fundit ndaj propozimit të Steve Witkoff ka zhgënjyer si SHBA-në, ashtu edhe shtetin hebre, shprehet tani i gatshëm “të rifillojë bisedimet indirekte”./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?