Ky është një nga përparimet më të mëdha të Rusisë në fushëbetejë prej muajsh. Dhe, ky përparim rus po ndodh në kohën më të keqe për Ukrainën.
Diku gjatë fundjavës, trupat ruse thyen vijat mbrojtëse të Ukrainës në veri të qytetit të Donbasit, Pokrovsk, në lindje të qytetit më të vogël Dobropilja.
Sipas analistëve ushtarakë dhe blogerëve ukrainas e rusë, njësitë ruse kanë çarë përpara rreth 17 kilometra në veri të vijave të tyre të mëparshme, një hap gjigant sipas masave të tanishme të fushëbetejës, duke e marrë fshatin Zoloti Kolodiaz dhe duke iu afruar një rruge dytësore për furnizim që shtrihet nga Dobropilja në veri.
Disa raportime me burime të hapura sugjerojnë se forcat ruse mund të kenë marrë në fakt rrugën dhe fshatin, gjë që do të kërcënonte edhe më shumë linjat e furnizimit për Pokrovskin, i cili vetë është pjesërisht i rrethuar.
Javën e kaluar, u raportua se njësitë diversante ruse janë parë në periferi jugore të qytetit, duke u afruar drejt stacionit hekurudhor në qendër.
Në një postim në Telegram më 12 gusht, komandanti i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskij, konfirmoi se njësitë e “infiltrimit” kishin anashkaluar disa pozicione ukrainase: “Disa nga grupet janë shkatërruar tashmë, të tjerat janë në proces shkatërrimi”.
Forcat përforcuese nga disa prej njësive më të kalitura në beteja po dislokohen tani.
Kjo ndodh në prag të një takimi të rëndësishëm ballë për ballë mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, më 15 gusht në Alaskë, ku Trump ka sugjeruar se mund të arrihet një marrëveshje që përfshin “shkëmbim territoresh”.
Humbjet e fundit në fushëbetejë janë shqetësuese, në mos alarmante, sipas ekspertëve.
“Nëse ukrainasit nuk e rikthejnë shpejt situatën dhe rusët arrijnë ta konsolidojnë e zgjerojnë këtë në një depërtim të vërtetë, atëherë kjo mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj lufte”, tha Pasi Paroinen, oficer rezervë finlandez dhe analist ushtarak në organizatën e inteligjencës Black Bird Group. “Shumë varet nga mënyra se si ukrainasit arrijnë të reagojnë”, tha ai.
“Rënia e Pokrovskit është thjesht çështje kohe në këtë fazë”, tha Konrad Muzyka, analist ushtarak me bazë në Poloni, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në disa prej pozicioneve të avancuara të Ukrainës.
“Ukrainasit nuk kanë forcë njerëzore për të luftuar në qytet, as kapacitet për të kryer një manovër anësore për t’i larguar rusët nga pjesët jugore të qytetit”, tha ai. “Tani me shumë gjasë po shohim një lloj veprimi të vonuar dhe përpjekje për t’u shkaktuar humbje sa më të mëdha rusëve… sesa një përpjekje për ta rimarrë qytetin”.
Një zëdhënës ushtarak ukrainas i mohoi në mënyrë të prerë raportet për përparimin rus në fushëbetejë.
“Rusët po përdorin taktikën e infiltrimit nga grupe të vogla përtej vijës së parë të mbrojtjes, duke humbur shumë personel, gjë që ndodhi pranë Dobropiljas”, tha nënkoloneli Viktor Tregubov në një video të postuar në Facebook më 12 gusht.
“Një grup i vogël i armikut anashkaloi pozicionet ukrainase dhe u përpoq të fshihej prapa nesh, por [forcat tona të armatosura] po i zmbrapsin këto përpjekje”, nënvizoi ai, duke shtuar.
“Ne i vrasim vazhdimisht, dhe ata vazhdojnë të dërgojnë ushtarë”
Që nga dimri i kaluar, vija e frontit prej 1.100 kilometrash është zhvendosur vetëm me ritëm shumë të ngadaltë, pavarësisht se Rusia ka shumë më tepër trupa dhe armatim.
Aftësia e Ukrainës për të shpiku në fushëbetejë - veçanërisht me luftën me dronë - i kishte dhënë Kievit përparësi të lehtë ndaj forcave ruse, të cilat për një kohë të gjatë mbështeteshin te dronët kamikazë të prodhuar nga Irani.
Por, Rusia ka arritur të përshtatë shumë nga risitë e Ukrainës, veçanërisht me bllokimin elektronik të sinjaleve – gjë që pengon fluturimet e dronëve ukrainas - dhe me dronët me fibra optike, të cilët kontrollohen me fije të holla që shtrihen me kilometra, duke i bërë të paprekshëm ndaj bllokimit elektronik.
Moska gjithashtu ka përdorur bomba rrëshqitëse - bomba të rënda të modernizuara, të cilat mund të hidhen nga avionët larg mbrojtjes kundërajrore - për të shkatërruar llogoret ukrainase ose pozicionet e improvizuara të fshehura në rrënojat e ndërtesave.
Një nga taktikat më gjakderdhëse që Rusia ka përdorur për të thyer vijat ukrainase ka qenë njësitë e motorëve ose mjetet e lehta motorike, ku një numër i vogël ushtarësh të armatosur lehtë kalojnë me shpejtësi fushëbetejën, duke u përpjekur t’u shpëtojnë dronëve dhe të manovrojnë pas pozicioneve ukrainase.
Edhe pse sjellin humbje të larta, këto sulme të motorizuara kanë qenë efektive, pjesërisht sepse nuk ka mjaft ushtarë ukrainas për t’i mbushur llogoret.
“Ne i vrasim vazhdimisht, dhe ata vazhdojnë t’i dërgojnë”, tha një oficer nga Brigada e 36-të Detare e Ukrainës për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).
Sipas protokollit ushtarak, ai dha vetëm nofkën e tij, Tikhy.
“Nëse gjejnë një vend [ku mund të depërtojnë], menjëherë i dërgojnë atje. Është si taktika e milingonave. E dinë se aty ka sheqer dhe të gjithë nisen atje”, shtoi ai.
Ukraina, ndërkohë, vazhdon të përballet me vështirësi në rekrutimin dhe trajnimin e mjaftueshëm të ushtarëve për t’i dislokuar, veçanërisht këmbësorinë për në vijën e parë të frontit. Ligjvënësit miratuan vitin e kaluar ndryshime në rregullat e mobilizimit, por ekspertët thonë se rekrutuesit ende kanë vështirësi si për të joshur vullnetarë, ashtu edhe për t’i trajnuar siç duhet.
Një brigadë e re e trajnuar dhe armatosur nga Franca u përball me dhjetëra dezertime para dhe pas dislokimit, duke nxitur një hetim penal dhe dorëheqjen e komandantit të saj.
Depërtimi pranë Dobropiljas mund të ketë ndodhur pasi njësitë ruse të zbulimit kanë depërtuar prapa pozicioneve ukrainase.
Nëse rusët i mbajnë pozicionet dhe rrugën, kjo potencialisht hap një çarje në vijat ukrainase, duke u lejuar atyre të çajnë përpara në jug drejt Pokrovskit dhe në veri drejt Kramatorskut.
“Është pasojë e mungesës së fuqisë njerëzore”, tha Muzyka. “Vija e avancuar e trupave ukrainase është tepër e shpuar. Thjesht nuk kanë njerëz për të manovruar në fortifikata dhe llogoret që kanë ndërtuar”, theksoi ai.
Për Ukrainën, “mungesa më e madhe është fuqia njerëzore, që shfaqet praktikisht në gjithë frontin”, tha ai.
“Nuk mendoj se problemi i mobilizimit do të zgjidhet, sepse është një çështje themelore strukturore e mënyrës se si Ukraina po e lufton këtë luftë”, sipas tij.
Dy qytete industriale nën kërcënim
Një nga prioritetet kryesore të Rusisë në rajonin e Donbasit, sipas ekspertëve dhe strategëve, duket se janë dy nga fortesa e tanishme të Ukrainës: Sloviansku dhe Kramatorsku.
Të vendosura në pjesën veriore të rajonit të Donjeckut, këto dy qytete industriale strehojnë një numër të madh forcash ukrainase si dhe linja furnizimi prapa frontit, spitale dhe shtabe komanduese lokale.
Trupat ruse pretendojnë se kanë marrë Çasiv Jarin, një qytet në një lartësi që ofron përparësi artilerie për të kërcënuar Kostiantinivkën, e cila ka një nyje hekurudhore të rëndësishme. Ukraina thotë se qyteti mbetet i kontestuar.
Këto dy qytetet “janë shumë më të rëndësishme për armikun. Është në fakt qendra e Donbasit, prandaj është logjike që do të sulmonin aty”, tha Kirill Sazonov, analist që shërben në Brigadën e 41-të të Mekanizuar të Ukrainës.
“Por, tani ata kanë vendosur të përfundojnë punën në Pokrovsk së pari, sepse, siç kanë treguar gjashtë muajt e fundit, është e pamundur të sulmosh njëkohësisht Pokrovskin dhe Kostiantinivkën”, shtoi ai.
Në fillim të vitit, Rusia krijoi një njësi dronësh të quajtur Qendra Rubicon e Sistemeve të Avancuara Papilotë, një njësi elitë që përdor dronë të avancuar me pamje të drejtpërdrejta dhe teston taktika e teknologji të reja.
Ekspertët thonë se Rubicon ka luajtur rol vendimtar në largimin e trupave ukrainase nga Kursku, rajoni rus ku Ukraina kishte depërtuar verën e kaluar.
“Ajo që më befasoi ishte se si rusët janë përmirësuar, si po i përdorin dronët e tyre”, tha Muzyka për REL-in.
“Rubicon po shkakton dëme të mëdha në vijat e dyta dhe të treta të mbrojtjes ukrainase dhe po e bën këtë në një mënyrë shumë të sistematizuar, shumë metodike”, përfundoi ai. /REL/
Komente
