Agron Shehaj dhe Sali Berisha

Politikë

PD do t'i marrë mandatin, Agron Shehaj: Bërtasin për vjedhje, por duan të grabisin mandatin tonë

26 Maj, 18:54| Përditesimi: 26 Maj, 20:40

  • Share

Përpjekja e Sali Berishës për t’i rrëmbyer mandatin e dytë në Tiranë, duke thënë se do të kërkojë numërim të votave të pavlefshme nuk është kaluar në heshtje nga kreu i Mundësisë, Agron Shehaj.

Duke e konsideruar hipokrizi qëndrimin e Berishës se 11 maji ishte farsë, Shehaj e akuzon se po përpiqen të rrëmbejë një mandat në tavolinë.

“Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë! E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet”, shkruan Shehaj mes të tjerash në reagimin e tij.

Teza e marrjes së mandatit të Mundësisë është hedhur menjëherë pasi u mësua se Shehaj e mori mandatin e dytë për partinë në Tiranë, teksa kjo dogji Ilir Alimehmetin te PD, që garonte në listën e hapur.

PD siguroi vetëm një mandat nga lista e hapur në Tiranë, atë të Jorida Tabakut.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt:

"Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.

Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë. Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!

E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet".

Postimi i kryetarit të Mundësia, Agron Shehaj, në Facebook

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?