Recep Tayyip Erdogani

Bota

Përpjekjet e Turqisë për të fituar një rol më të madh ndërmjetës më 2025

18 Dhjetor, 19:43| Përditesimi: 18 Dhjetor, 19:45

  • Share

Rrëzimi i qeverisë së Assadit i dha Presidentit turk Recep Tayyip Erdoganit fitoren më të madhe diplomatike të vitit 2024.

Ankaraja ka qenë mbështetëse e fortë e rebelëve sirianë dhe analistët thonë se kjo, krahas marrëdhënieve që Turqia ka me të tjerët, do ta vendosin atë në një pozitë të favorshëm për të ndihmuar administratën e ardhshme amerikane drejt arritjes së synimeve të saj në politikën e jashtme.

"Aftësia jonë për të kontaktuar drejtpëdrejt me aktorët në Siri duhet të jetë një përparësi e madhe për Departamentin amerikan të Shtetit, sepse marrëdhëniet e tyre me ta nuk janë aq të afërta. Gjithashtu, ne mund të flasim si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë, nëse Trumpi ka nevojë për ndihmë”, thotë Atilla Yesilada analist në kompaninë ‘GlobalSource Partners’.

Por, pas rrëzimit të Assadit, tensionet mes Turqisë dhe Izraelit mund të rriten.

Zoti Erdogan ka dënuar sulmet e fundit ajrore izraelite kundër infrastrukturës ushtarake siriane dhe përparimet e ushtrisë izraelite në territorin sirian.

Marrëdhëniet mes dy vendeve veç ishin të tensonuara për shkak të mbështetjes dhe pritjes nga Ankaraja të udhëheqësve të Hamasit.

Presidenti turk thotë se lidhjet e tij me Hamasin mund të ndihmojnë në përfundimin e luftimeve në Gazë, një pretendim që izraelitët e hedhin poshtë.

"Për të ndërmjetësuar në një konflikt, duhet të keni besimin e të dyja palëve. Për momentin Izraeli nuk i beson Turqisë dhe Turqia ka bërë gjithçka që është e mundur që Izraaeli të mos i besojë. Sepse tani Turqia po punon për ta izoluar Izraelin. Turqia ka vendosur një ndalesë të plotë tregtare ndaj Izraelit”, thotë Gallia Lindenstraus nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti Erdogan synon të ketë një rol edhe në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Gjatë gjithë vitit 2024, ai thelloi lidhjet me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa ruante marrëdhënie të ngushta me Ukrainën.

Pozicioni i zotit Erdogan për të ruajtur balancat, varet nga strategjia që Presidenti i zgjedhur Trump do të përdorë në përmbushjen e premtimit të tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

"Ka një skenar ku zoti Trump përpiqet të ushtrojë trysni ndaj Rusisë, duke çuar në rritje të tensioneve dhe në një moment, Erdoganit do t’i kërkohet të bëjë një zgjedhje mes Putinit dhe Trumpit”, thotë analisti Yesilada.

Në fund të vitit 2024, zoti Erdogan ndërmjetësoi arritjen e një marrëveshjeje për një çështje territoriale mes Somalisë dhe Etiopisë, e cila prej muajsh kishte shkaktuar tensione.

Analistët thonë se marrëveshja ndihmoi përpjekjet e Ankarasë për të zgjeruar ndikimin e saj në Afrikë.

"Turqia ka tashmë marrëdhënie shumë të qëndrueshme dhe të forta me Somalinë dhe Etiopinë. Ajo do të angazhohet për imazhin dhe popullaritetin e saj atje dhe do të rrisë praninë në një rajon shumë të rëndësishëm strategjik”, thotë Elem Eyrice Tepeciklioglu nga Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë.

Pavarësisht sukseseve të Turqisë në politikën e jashtme gjatë vitit 2024, Presidenti Erdogan vazhdon të përballet me zemërimin e publikut për shkallën e lartë të inflacionit në vend.

Mbështetja e votuesve për partinë e tij ra gjatë këtij viti, duke e bërë mbijetesën politike një nga sfidat kryesore të zotit Erdogan për vitin 2025./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?