TIRANË- Ajas Sulejmani do të qëndrojë në burg, të paktën deri në përfundim të hetimeve për aksidentin e rëndë që shkaktoi të dielën në Rrugën e Kavajës kur përplasi një çift bashkëshortësh që po kalonin me foshnjën e tyre me karrocë në vijat e bardha.
39-vjeçari doli para togave të zeza në Gjykatën e Tiranës që pavarësisht pretendimeve të avokatit për t’iu caktuar arrest në shtëpi duke qenë se është baba i 3 fëmijëve të mitur, masa e sigurisë u vendos arrest me burg.
Pas arrestimit, efektivët e policisë thanë se Ajas Sulejmani ishte nën efektin e lëndëve narkotike, çka vetë ai e mohon. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se avokati Elton Hyseni argumentoi se klienti i tij duhet liruar për sa kohë nuk ka dalë ende akt-ekspertimi i gjakut dhe nëse qëndron në arrest shtëpiak nuk rrezikon të prishë provat pasi të gjitha tashmë janë administruar nga prokuroria, ashtu sikundër sipas tij, nuk ka as rrezik të arratiset.
“Kërkova një masë më të lehtë, burg me afat ose arrest shtëpie. Nuk ka rrezik për prishje të provave sepse provat janë marrë tashmë nga prokuroria, nuk ekziston rreziku i ikjes. Ka tre fëmijë të mitur”, tha avokati Elton Hyseni.
Ajas Sulejmani shkeli semaforin duke kaluar me të kuqe ku përplasi prindërit dhe foshnjen që fatmirësisht nuk u lëndua, ndërsa çifti i bashkëshortëve Vilma dhe Arjan Konomi, ndodhen në spital.
Sulejmani drejtonte një G-CLASS të zi me targa gjermane me vlerë rreth 130 mijë euro, ndërsa përveç veprave penale për të cilat do të hetohet, “shkelje e rregullave të qarkullimit me pasojë, drejtim te automjeteve në mënyre te parregullt nën ndikimin e drogës si dhe largim nga vendi i aksidentit”, për aksidentin e rëndë policia rrugore e gjobiti me 105 mijë lekë dhe i hoqi patentën për 2 vite.