Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia pasi aksidentoi me makinë një këmbësor në Sukth dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor “Sukth-Vadardhë”. Policia thotë se 54-vjeçari ndodhet në spital.
“Shërbimet e Policisë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se një shtetas ishte aksidentuar me automjet, në Sukth, dhe se drejtuesi ishte larguar nga vendi i aksidentit, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin D. M., 42 vjeç, banues në Sukth, i cili dyshohet se më datë 25.05.2025, rreth orës 20:45, në aksin rrugor “Sukth-Vadardhë”, ka aksidentuar shtetasin B. D., 54 vjeç, dhe është larguar.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automjetin me të cilin dyshohet se shtetasi D. M. ka aksidentuar 54-vjeçarin. 54-vjeçari i dëmtuar ndodhet në kujdesin e mjekëve.”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente
