Sulmuesi italian Mario Balotelli nuk është imun ndaj problemeve. Përkundrazi, ndonjëherë duket sikur problemet e tërhiqen si një magnet. Sulmuesi i Adanas në Turqi këtë herë ka shkaktuar një aksident trafiku në vendlindjen e tij Brescia, ku po rikuperohet nga lëndimi i fundit. Ai është përplasur në rrugë me shpejtësi të papërshtatshme.
Sipas informacioneve të deritanishme të njohura, ish-sulmuesi i kombëtares italiane ka shkatërruar plotësisht makinën. Ai ishte duke ngarë një Audi Q8, i cili kushton mbi 100,000 euro.
Ky nuk është problemi kryesor për Balotellin, i cili fitoi shumë para gjatë karrierës së tij. Një problem shumë më i madh mund t'i shkaktojë fakti që ai nuk pranoi të bënte testin e alkoolit dhe për këtë arsye policia i konfiskoi patentën e shoferit.
Mario Balotelli ka reaguar për herë të parë për aksidentin në të cilin u përfshi mbrëmjen e së enjtes në Brescia, teksa më pas shkoi në shtëpi me një tjetër mjet.
“Ka një miliardë probleme dhe e vetmja çështje që shoh në gazeta është aksidenti im. Problem do të ishte nëse nuk do të kisha pasur sigurim gjithëpërfshirës, por falë Zotit e kam. Në vend që të flasin për të gjitha gjërat serioze, flasin për aksidentin tim, e pabesueshme", tha Balotelli.