Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë që përplasi për vdekje një ditë më parë një 71-vjeçare. Arben Meta ishte me detyrë shef Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë në DVKM Gjirokastër dhe ndaj tij rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë pranë fshatit Grapsh, ku 71-vjeçarja, pasagjere e linjës së udhëtarëve Gjirokastër-Janinë, u përplas sapo zbriti nga autobusi. Polici po shkonte në punë me automjetin e tij privat kur përplasi të moshuarën.
AMP thotë se arrestimi u krye dje, ndërsa nga verifikimi me testin matës të alkoolit ka rezultuar negativ.
Njoftimi i AMP:
Efektivi i policisë, që aksidentoi për vdekje 71-vjeçaren në Gjirokastër, është arrestuar nga AMP. Polici A. M është me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë në DVKM Gjirokastër
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë A. M., me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë në DVKM Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e djeshme gjatë drejtimit të mjetit ka aksidentuar shtetasen K. H., e cila si pasojë ka ndërruar jetë. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i automjetit, gjithashtu edhe marrja e një mostre gjaku për kryerjen e Ekspertimit Toksikologjik. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ka rezultuar negativ.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Komente
