Dy persona janë arrestuar pasi dy anije mallrash njëra britanike e tjetra daneze, u përplasën në Detin Baltik në bregun suedez. Një person ndërroi jetë si pasojë e këtij aksidenti. Sipas zyrtarëve, të arrestuar janë një britanik dhe një kroat.
Prokurorët po hetojnë shkaqet e përplasjes, ndërsa përfshihet mundësia e neglizhencës dhe dehjes së stafit të anijes britanike, Scot Carrier.
Ndërkaq kompania, Scotline, të cilës i takon anija britanike njoftoi se i gjithë stafi u testua për drogë dhe alkool. Rezultatet dëshmuan që dy pjesëtarë patën në gjak më shumë alkool se sa lejohet ligjërisht.
Ekipet e shpëtimit kërkuan me orë të tëra dy personat fillimisht të zhdukur, pjesëtarë të stafit të anijes daneze e cila u përmbyt. Megjithatë, një person ende nuk është gjetur.
Përplasja mes dy anijeve ndodhi në mes të ishullit danez, Bornholm dhe qytetit jugor suedez, Ystad më 13 dhjetor. Johan Nilsson, përgjegjës për operacionin e shpëtimit, tha për mediat suedeze që anija daneze pësoi shumë dëme pas përplasjes.