Raporti i Freedom House/ Shqipëria bie me një pikë, por mbetet e para në rajon! Meta-Basha: Alarm! Rama: Fajin e ka opozita

6 Maj 2020, 07:37| Përditesimi: 6 Maj 2020, 15:04

  • Share

Organizata Freedom House ka arritur në përfundimin se një numër i madh udheqësish në Evropën Qendrore dhe Lindore as nuk përpiqen të pretendojnë se po luajnë sipas rregullave demokratike. Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion” që u bë publik të mërkurën, disa nga vendet e Ballkanit shënuan rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më herët, përfshirë Shqipërinë. Kosova shënoi rritje, por zhvillimet e këtij viti lënë shkas për shqetësim. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, organizata thotë se pandemia e koronavirusit përbën një pikë kthese që mund të thellojë rënien ose të rigjallërojë demokracinë.

Prirje shqetësuese

Në zonën me 29 vende që mbulon raporti Vendet në Tranzicion, numri i demokracive është më i ulëti në historinë 25 vjeçare të tij. Michael Smeltzer, analist kërkimor i raportit Vendet në Tranzicion, thotë se përfundimet e këtij viti janë vërtet shkurajuese.

“Ne arritëm në përfundimin se udhëheqësit dhe politikanët në rajon, po heqin dorë edhe nga fasada e demokracisë. Kjo do të thotë që maskat janë hequr. Udhëheqësit dhe politikanët nuk po fshihen më as pas respektimit formal të demokracisë, duke sulmuar hapur institucionet demokratike”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se shpërbërja e këtij konsensusi demokratik është më e qartë në Evropën Qendrore dhe në Ballkan.

Katër vende kanë ndryshuar regjim: Polonia që doli nga kategoria e demokracive të konsoliduara, duke u shndërruar në një demokraci gjysmë e konsoliduar. Ndërkohë Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë plotësisht nga grupi i vendeve demokratike dhe tani janë të klasifikuara si regjime hibride/demokraci në tranzicion.

Rënia në Balkan ndodhi për shkak të tri vendeve: Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Shqipëria rënie në qeverisje demokratike dhe proces zgjedhor

Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.89 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.82 pikë.

“Kjo kishte të bënte me një numër faktorësh, përfshirë bojkotimin e opozitës dhe konfliktin politik rreth zgjedhjeve që i la votuesit pa një zgjedhje të vërtetë përsa i takon votës”, thotë analisti Smeltzer.

Prirja për bojkot, u vu re në shumë vende.

“Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet. Në fakt, ata janë gjithnjë e më pak të interesuar për diskutim”, thuhet në raport.

Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, është autor i kapitullit për Shqipërinë. Ai thotë se opozita parlamentare në fillim të vitit të shkuar u përball praktikisht me një situatë ku realisht nuk mund të korrigjonte dot qeverisjen.

“Pavarësisht kësaj situate me të cilën u përball opozita vitin e shkuar, unë personalisht mendoj se do të ishte më mirë qëndrimi brenda institucioneve”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Pas bojkotimit, vazhduan një sërë përplasjesh institucionale… “…duke filluar mes presidentit, parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas kemi procedurën për shkarkimin e presidentit dhe rreth fundit të vitit të shkuar, kemi edhe përplasjet mes presidentit, parlamentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve të gjykatës kushtetues”.

Të gjitha këto, thotë ai kontribuuan në rënien e nivelit të demokracisë.

Zoti Vurmo thotë se mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, i thelloi edhe më tej problemet. Ka shumë aspekte të demokracisë që nuk rregullohen thjesht me fitoren e zgjedhjeve dhe sigurimin e shumicës.

“Janë pikërisht këto arsye të cilat kanë shtyrë demokracitë liberale të ndërtojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës të pushteteve. Është pikërisht kjo arsyeja e ekzistencës së institucioneve të pavarura të cilat mbrojnë edhe kushtetueshmërinë dhe pritshmërinë dhe performancën e institucioneve dhe të pushteteve”.

Zoti Smeltzer thotë se mekanizmi i kontrolleve dhe balancave në Shqipëri, nuk është efektiv për të parandaluar këto konflikte

Megjithëse Shqipëria është në të njëjtën kategori zoti Smeltzer thotë se është gjithsesi shqetësuese të shohësh një trajektore negative apo të dobët demokratike.

“Pra shqetësimi nuk është edhe aq se është i këtij apo atij lloj regjimi, por në ç’drejtim po shkon vendi: a po ndjek një trajektore më demokratike apo po bëhet gjithnjë e më pak demokratik”, tha ai.

Dhe zoti Vurmo thotë që megjithëse ka vende të tjera që janë në një nivel më të ulët, pas 30 vjetësh tranzicion, shqiptarët duan të jenë më mirë, pasi kërkesat e tyre janë rritur. “Thjesht fakti që në Shqipëri shumica e të rinjve do të donin të linin vendin e tyre, thjesht për shkak të faktit se ata nuk shohin më asnjë shpresë në mundësinë që Shqipëria të shndërrohet thelbësisht dhe rrënjësisht në një demokraci funksionale, do të thoja që është një fakt ulëritës”, thotë ai./VOA

*Titulli redaksional
* Titulli origjinal:  Freedom House: Udhëheqësit në Evropën Qendrore, Ballkan dhe Euroazi, sulmojnë haptazi institucionet demokratike

Ora 14:42
Debati për Freedom House/ Rama: Jemi të parët në rajon! Rënia me një pikë nga trazirat e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas raportit të "Freedom House", të cilin Presidenti e cilësoi si kambanë alarmi, ndërsa opozita akuzoi qeverinë. Edi Rama shkruan se kur morëm qeverisjen ishim në vendin e fundit në rajon, ndërsa tani në vendin e parë.

Ai e pranoi se ka një rënie, por për këtë gjen edhe fajtorin. "Po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur largqoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t'i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën" shkruan ai.

"Kur e bardha bëhet e zezë dhe s'ka asgjë në mes, mbetet vetëm një "merr e jep" shterpë mbi lirinë e medias, që ka padiskutim të gjithë lirinë e të drejtat të thotë ç'i vjen për mbarë dhe ankohet gjithnjë për mungesë lirie, sa herë të tjerët, përfshirë edhe mua, ushtrojnë të drejtën e tyre të kundërshtimit ndaj të pavërtetave apo gjysëm të vërtetave të saj, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!

Sot një gazetar i dëshpëruar për Shqipërinë që paskej rënë teposhtë, e fundit në Ballkan sipas tij, në Raportin e "Freedom House" për lirinë, donte të dinte sa më vriste mua ndërgjegja për këtë lajm të zi!

Mirëpo ja çfarë del në fakt nga raporti që mat lirinë demokratike në 195 shtete të botës qysh prej vitit 1973: Shqipëria është vendi me ideksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria ka një indeks të lirisë demokratike prej 67 pikësh. Serbia, vendi i dytë në klasifikimin rajonal, ka shënuar një regres të lehtë duke kaluar nga 67 në 66, një pikë poshtë Shqipërisë. Maqedonia e Veriut renditet e treta, me 63 pikë, ndërsa Mali i Zi ka pësuar rënien më të madhe në rajon, duke zbritur në 62 pikë nga 65 që kishte vitin e shkuar.

Kosova mbetet e parafundit në listë, por me një progres prej dy pikësh (56 pikë nga 54 të vitit të kaluar), ndërsa Bosnja është në një stanjacion të plotë, duke qëndruar në vendnumëro, e fundit përsa i përket lirive demokratike në rajon.

Në 2013-n, Serbia dhe Mali i Zi konsideroheshin vende të lira dhe jo pjesërisht të lira si tani, ndërsa Shqipëria me Bosnje Hercegovinën ishin vendet me renditjen më të ulët në rajon. Po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur largqoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t'i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën. Ah po, kur ne morëm në dorë qeverisjen e vendit, Shqipëria ishte e fundit" mbyllet postimi i plotë i Edi Ramës.

Ora 11:42
Raporti i Freedom House/ Basha: Ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri

TIRANË- Edhe pse raporti i Freedom House e rendiste opozitën me bojkotin e saj, si një nga shkaktarët kryesor rënies së demokracisë në vend, kreu i PD-së, Lulzim Basha bën fajtore të vetme qeverinë.

Ai shprehet se kryeministri Edi Rama ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri, referuar këtu edhe akuzave që kanë bërë më herët se janë shpërndarë mjete mbrojtëse që u ka kaluar afat.

Basha vijon duke thënë se është tregues i qartë ky raport që shteti nuk punon për njerëzit, por për oligarkët.

"Raporti i Freedom House, reagon kryetari Basha: Qeverisë, bashkë me maskat e skaduara i ka rënë edhe maska e demokracisë

Bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri. Freedom House arrin në këtë konkluzion në raportin e saj të fundit që tregon se vendi ynë ka berë hapa prapa ne nivelin e demokracisë në vend: rënie në fushën e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, vlerësim negativ për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave. Gjithashtu, ishte zhbërja e institucionit të parlamentit nga qeveria dhe maxhoranca që e detyruan opozitën të largohet nga institucioni.

Të gjithë e shikojmë sot në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike sa të vërteta janë këto raporte ndërkombëtare për dështimet e qeverisë. Sepse institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.

Ne duhet t'ua kthejmë institucionet njerëzve, t'ua kthejmë qeverisjen e përgjegjshme njerëzve dhe të rivendosim standartet demokratike në vend. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm", tha Basha.

Ora 10:37
Raporti i Freedom House/ Meta: Kambanë alarmi, duhet reflektim dhe përgjigje nga të gjithë

TIRANË- "Kambanë alarmi", kështu e quan presidenti Ilir Meta raportin e Freedom House, i cili ka dalë në përfundimin se Shqipëria rënie në qeverisje demokratike vitin e fundit.

Në një reagim të shkurtër, kreu i shtetit shprehet se është i shqetësuar kga konkluzionet e këtij raporti, duke theksuar se duhet një reflektim dhe një përgjigje nga të gjithë aktorët politik.

"Thellësisht i shqetësuar nga konkluzionet e raportit të organizatës “Freedom House”. Përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë, rënia ne qeverisje dhe proces zgjedhor kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë.

Konkluzioni në raport se: “Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet” është një këmbanë e fortë alarmi.

Është koha për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, me qëllim integrimin e plotë të vendit pa zvarritje të mëtejshme", shkruan Meta.

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta
B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dulla: 06/05/2020 15:20

    Po ti qe mbive ne televizor dhe je be si Enveri, ske ndonje cike faj?

    Përgjigju
  • Freedom House: 06/05/2020 11:16

    Renie ne qeverisje dhe ne proces zgjedhor !!! Te tjerat jane gjepura alla shqiptarja.com e alla Tema. Efekti i “tepsise dhe timonit” ne doren e nje te semuri mendor. Na e paska fajin opozita tani sipas titullit. Wtf

    Përgjigju
  • Gajda: 06/05/2020 08:20

    Po pra, Saliu e ka fajin. Lol

    Përgjigju
  • Uku Momlit: 06/05/2020 08:15

    Undefined

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?