Elsa Toska, e dorëhequr nga Kushtetuesja

Politikë

Emërimet në Kushtetuese, KED pezullon vakancën për vendin e Elsa Toskës: S'u plotësua numri prej 3 kandidaturash, Kuvendi të rishpallë thirrjen!

29 Maj, 14:49| Përditesimi: 29 Maj, 15:27

  • Share

Në kulmin e përplasjeve për emërimet me Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), ka pezulluar vakancën për zëvendësimin e magjistrates së dorëhequr Elsa Toska. Vendimi u mor, pasi, në garë kishin mbetur vetëm dy kandidatë, nga një minimum prej 3 emrash që kërkohen nga ligji.

KED-ja bën të ditur se do t’i kërkojë parlamentit, si organ i emërtesës në këtë rast, që të vlerësojë rishpalljen e thirrjes.

Një situatë e tillë, i krijon mundësinë parlamentit për të korrigjuar gabimin e shtatorit, kur e hapi vakancën për një mandat deri në vitin 2028, duke cenuar parimin e përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese.

“Gjatë fazës së verifikimeve, u konstatua se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore ka rënë nën pragun minimal të parashikuar prej tre kandidaturash. Në respekt të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në zbatim të vendimit nr. 84/2024 të Gjykatës Kushtetuese që thekson rëndësinë e përtëritjes së rregullt të kësaj gjykate, një herë në tre vjet, Këshilli vendosi si më poshtë: Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur më 30.09.2024”, thuhet në vendimin e marrë nga Këshilli me 8 anëtarë dhe i drejtuar nga Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë.

“Ky vendim bazohet në nenin 125 të Kushtetutës, nenin 7/c të ligjit nr. 8577/2000, nenin 218 të ligjit nr. 115/2016, si dhe në aktet nënligjore përkatëse që rregullojnë këtë proces. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në seksionin e dedikuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, theksohet në njoftimin e KED.

Në shtator të vitit të kaluar, dorëheqja e beftë e anëtares Elsa Toska, u pasua nga vendimi i kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali, për shpalljen e vakancës për një mandat që përfundonte, jo në vitin 2025, për në vitin 2028. Ky akt do të shënonte krisjen e parë në skemën e ripërtëritjes së gjykatës me tre anëtarë për gjatë këtij viti.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?