Gjykata e Apelit Tiranë ka njoftuar se sot është pranuar dhe do të hidhet short për ankimin e Partisë Demokratike për mos regjistrimin e Statutit të 18 dhjetorit bashkë me ndryshimet në Kuvendin e 17 korrikut. Genti Shala është zgjedhur relator ndërsa anëtarët janë Edlira Petri dhe Elona Toro.
Gjykata thotë se vendimi është marrë sot dhe shqyrtimi i kërkesës do të bëhet në ditët në vijim pasi të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit. Një ndër vendimet e rëndësishme të atij Kuvendi ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.
"Duke marrë parasysh interesimin e shtuar të mediave, shtypit të shkruar dhe atij on line, si edhe në përgjithësi opinionit publik, informojmë sa vijon: Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u shqyrtua kërkesa me Nr. 214 Akti, datë 13.12.2021, me kërkuese: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi; me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, e gjykuar nga gjyqtare znj. Blerina Muça, për të cilën kjo gjykatë ka dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022 dhe ka vendosur: “1. Pranimin e kerkeses se pales kerkuese Partia Domokratike e Shqiperise. 2. Depozitimin e satutit dhe vendimeve te dala nga Kuvendi Kombetar i Partise Demokartike te Shqiperise e dates 17.07.2021. 3. Kunder ketij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.” Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Sot në datën 12.04.2022, është dërguar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm. Shorti për caktimin e relatorit të cështjës, do të hidhet po sot, në datën 12.04.2022, ora 14:30. Publiku do të informohet në vijim për të gjitha aspektet procedurale", thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjyqtari Agron Zhukri më datë 25 mars regjistroi ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Gjyqtarja Blerina Muça ka pranuar në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.
Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.
Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.