Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat lajmëroi anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me arsyetimin se Kurti nuk kishte pranuar një takim më të ngushtë për të folur lidhur me krizën e kijuar në veri. Po ashtu edhe Kurti në konferencën e tij të mëparshme refuzoi draftin e Asociacionit të propozuar nga Rama.
Lidhur me këtë situatë, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se po tentohet se krijimi i identitetit të dytë shqiptar nga ana e Kosovës. I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Vangjeli tha se kjo ‘përplasje’ mes Kurtit dhe Ramës duket si një garë mes të dyve se cili është lideri moral i shqiptarëve në të gjitha anët e kufijve.
“Sot po shikojmë një realitet që tentojnë të krijohet ky identitet i dytë shqiptar, sipas një dikotomie që ska pse të jemi një kur jemi 2. Duket se ka një garë për të shpallur kush është lideri moral që mund të tejkalojë të dyja anët e kufirit. Kjo ka të bëjë me gjenetikën tonë, ndjej keqardhje të pohoj që çdo shqiptar mund të konsiderohet histori suksesi, së bashku si komunitet nuk arrijmë dot sukses”-tha Vangjeli.
Por teksa komentoi situatën e tensionuar të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, Vangjeli tha se qëndrimet e Ramës kanë qenë në kuadër të qetësimit të situatës mes dy vendeve.
“Kontaktet e Ramës dhe mënyra e politikëbërjes së tij në të gjithë rrethanat pavarësisht se konsiderohet djalli i zi në politikë, shkojnë në drejtimin e qetësimit të situatës”-shtoi analisti.
Nga ana tjetër, ish ministri i Jashtëm Aldo Bumçi i cilësoi qëndrimet e Ramës në kundërshtim me interesat e Kosovës. Ndërsa duke marrë në konsideratë edhe paralajmërimet e ndërkombëtarëve për Kosovën, Bumçi bëri një analogji të këtij rasti me atë të luftës në Ukrainë kur Serbisë iu kërkua të vendoste sanksione ndaj rusëve. Dhe sipas Bumçit, Rama sdoli kundër ndërkombëtarëve duke u thënë mos të bënin presion që Serbia të sanksiononte Rusinë.
“Doli kundër ndërkombëtarëve për të mbrojtur Vucicin kur nuk vendosi sanksione na Rusisë”- u shpreh Bumçi.
Anulimi i mbledhjes së përbashkët të planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme duket se ka sjellë një përçarje të faktorit shqiptar në rajon. Politika e Prishtinës dhe ajo e Tiranës zyrtare duket se nuk kanë qëllime të njëjta lidhur me zhvillimet e fundit.